Rapsodi i mirë nuk e prishë këngën për pare

Rapsodi i mirë nuk e prishë këngën për pare
Rapsodët tanë, para një shekulli këndonin më mirë se sot dhe ishin shumë me të sinqertë se që janë rapsodët e tashëm. Për habi, zgjedhja e renditja e fjalëve, e rimës dhe ritmit dikur ishte në nivel shumë më të lartë artistik së që është sot. Nder shkaqet themelore sa duket tash është fitimi që […]

Rapsodët tanë, para një shekulli këndonin më mirë se sot dhe ishin shumë me të sinqertë se që janë rapsodët e tashëm.

Për habi, zgjedhja e renditja e fjalëve, e rimës dhe ritmit dikur ishte në nivel shumë më të lartë artistik së që është sot.

Nder shkaqet themelore sa duket tash është fitimi që realizohet nga rapsodët që dikur këndonin vetëm për qejf, pa pagesë. Këndonin për mikun dhe shokun, për jaranin e shoqërinë.

Shumë njerëz duke parë fitimin ju vërsulën këngës me pak talent, e fare më pak dije, duke menduar se mund të këndoj kushdo ku të mundet. Nëse analizojmë tekstet e këngëve të kënduara para 100 vjetësh janë larg më të bukura se ato që krijohen në këtë kohë. Sapo doli fjala për mbrojtjen e të drejtës autoriale u ba nami i zi. Megjithëse dihet se të njëjtat këngë i këndojnë shumica e rapsodëve, ata duke pretenduar se një këngë është e tyre vetëm e prishin një varg apo dy tri fjalë të këngës së rivalit pretendues dhe i grahin çiftelisë. Ka shembuj pa fund për këtë.

Shumë rapsodë janë kokëfortë dhe as nuk duan të mësojnë.

Dihet, për shumë vite, disa rapsodi janë kënduar fshehtas nga të dy anët e të njëjtës shoqëri. Në njërën anë nga pushteti, por në anën tjetër edhe nga një pjesë e rrethit shoqëror, të cilit me siguri nuk i pëlqente teksti i një rapsodie të caktuar.

Jo pak herë dhe jo pak rapsodë janë gjendur ngushtë shumë herë kur dikush nga miqtë apo mikpritësi ka kërkuar një këngë që ishte ndaluar nga pushteti i kohës.

Jo pak herë, ka ndodhë që rapsodi ngadalë të pyeste në vesh të zotin e festës se a guxon me këndua një këngë të caktuar pa rrezikuar as të zotin e shtëpisë e as rapsodin.

Nuk është i vetmi rapsodi Rifat Dragaj nga fshati Leçinë që ka provuar dënimin me burg për këngën e Sinan Shalakut po nga Leçina.

Ky rast është i mëvonshëm krahasuar me rapsoditë për Selman Kadrinë e Dan Derocin. Por edhe shumë më herët kënget e Ahmet Delisë, e Azem Bejtës, dhe pas tyre ajo e Bec Sinanit, janë kënduar me frikë nga pushteti dhe jo vetëm nga pushteti por edhe nga hafija jonë që fuste hundët kudo.

Për këngën e Azemit është burgosë Dervish Goxhuli, dhe prej asaj kohe ka edhe anekdota për këto. Nuk kanë kaluar lehtë rapsodët nëpër etapa të ndryshme sa kohë që pushtuesi u rrinte mbi kokë.

Kishte mana kënga për Selman Kadrinë.

Përmbajtjen e saj e dinë shumë njerëz, por edhe shumë nuk e dinë, e ka edhe që e dinë por nuk duan ta dinë e as ta dëgjojnë.

Ka rapsodë që e këndojnë një këngë e nuk dinë çka këndojnë, duke mos u thelluar fare në përmbajtjen e këngës.

Interesant është folklori, por po të analizohet mirë, ma interesant del puna e rapsodit.

Ama ka dallime të mëdha mes rapsodëve, sidomos kur filluan të këndojnë me pare.

Sa më shumë që paguheshin, këndonin më keq, pa asnjë kriter. Madje, dikur moti, nëse një këngë ishte e mbushur me rrena, nuk pranohej fare nga auditori. Rrenat në rapsodi nuk kalonin lehtë.

Nuk mund të thurte gjithkush rapsodi. Sot në këtë lëmi puna qëndron shumë me keq se para njëqind vjetësh.

Ka rapsodi që janë anashkaluar nga rapsodët pasi janë kërcënuar nga dikush.

Disa rapsodi u hoqën nga repertori i rapsodëve pas kërcënimeve

Disa rapsodi akoma këndohen sipas vendit dhe ato nuk mund të këndohen kudo.

Ka pas këngë për të parin e çetës kryengritëse, para Azem Bejtes, siç ishte Shaqir Smaka i Kostercit i cili dy herë ishte arratisur nga burgjet. Herën e parë nga burgu i Shkupit, dhe herën e dytë nga burgu Deviqit ku asokohe ishte selia komunale e pushtetit serb.

Kënga e Shaqir Smakës është kënduar rrallë por ajo ekziston. Shaqiri tri herë ishte përballë me armë me pushtuesin austriak. Dy beteja të forta i kishte fituar, në fshatin Ticë dhe në Kllodernicë, ndërsa bie heroikisht në betejën e tretë në fshatin Banjë afër Runikut.

Shënimi nuk ka për qellim të rrëfej këtë histori por shtron pyetje publike pse nuk këndohet nga rapsodët kënga e Shaqir Smakës?

Shaqiri është djegur në kullën ku luftoi dhe nuk ka as varr. As Kamber Loshi nuk ka varr sepse trupi i tij është djegur në atë plemen e Mirushës ku u përballë me pushtuesin.

Ka këngë edhe për Rrrustem Birinxhikun por shtrohet pyetja pse rapsodët nuk e këndojnë.

Selmani Kadria ka varr. Edhe Dan Deroci ka varr. Ka varr edhe Rrustemi (Birinxhiku, por nuk dihet ku.

Nuk është mit Kënga e Selmanit. Nuk është mit as Kënga e Danit. Nuk është pjellë e imagjinatës as kënga e Rrustemit. Po për çudi, derisa këngët për Selmanin dhe Danin këndohen me të madhe edhe sot pas njëqind vjetësh, por jo edhe kënga për Shaqir Smakën dhe ajo për Rrustem Birinxhikun.

Ka pasur jo pak tentativa për të penguar këndimin e këtyre këngëve, e ka akoma. Duket sikur këngët për Shaqirin dhe Rrustemin janë fashitur gati krejt, qoftë me kërcënime apo ryshfeti. Megjithëse as këto dy rapsodi nuk kanë kaluar lehtë as nga pushtuesi, por duhet pranuar as nga disa njerëz që përmendën për të keq në këngë.

Derisa auditori di shumë për këngët e Danit e të Selmanit, di fare pak ose aspak për këngën e Shaqirit dhe të Rrustemit.

Rrustem Birinxhiku (17-18 vjeçar) arrestohet nga xhandarmeria në shtëpi dhe sillet në stacionin e xhandarmërisë pa pranga në Runik. E vendosin në zyrën e komandantit të xhandarmerisë dhe e urdhërojnë të ulet. Për një moment, ndoshta nga pakujdesia, apo pse Rrustemi ishte akoma i ri, gati femijë, e lënë vetëm, të pa prangosur. Ndoshta pse xhandarët harruan duke qenë të angazhuar në detyra të shumta që kishin. Rrustemi nuk heziton. Mendjemprehtë shikon një pushkë mbi tavolinë. E rrokë armën dhe e vërteton a ka fishekë. E merr në dorë të gatshme për shkrepje. Dhe derisa po zbriste ato pak shkallë që kishte stacioni i xhandarmerisë në Runik, zëvendës komandanti i postës së xhandarmerisë po kthehej drejt zyrës. E sheh Rrustemin me pushkë në dorë dhe i bërtet të ndalet. Rrustemi ia shkrep me të paren dhe vret në vend zëvendëskomandantin e xhandarmerisë Nikollën.

Sa shumë herë janë dëmtuar varret e këtyre trimave?

Varret e trimave u dëmtuan shumë herë nga pushtuesi, por jo pak herë edhe nga dora e zezë vendase.

Danin e kishin varrosur bashkatdhetarët aty fare afër stacionit të xhandarmerisë së krajlit serb, ku ishin varret e fshatit edhe më herët, në fshatin Braboniq, buzë rrugës magjistrale Mitrovicë – Pejë.

Buzë rrugës Istog – Vrellë e ka varrin edhe Selman Kadria, në Cercë të Istogut. Derisa varri i Rustemit nuk dihet të jetë prishur ndonjëherë, as nuk dihet ku gjendet, apo nuk gjendet fare, varret e Selmanit dhe Danit janë thyer apo dëmtuar disa herë nga dora e njerëzve, tash njëqind vjet anonim…

Shaqir Smaka i Kostercit nuk as varr as muranë!

Lexo edhe

Ramush Haradinaj me parti del për t’i falënderuar protestuesit në shesh

Ramush Haradinaj me parti del për t’i falënderuar protestuesit në shesh

Seancë gjatë ditës? Haradinaj: S’kemi marrë ftesë ende

Seancë gjatë ditës? Haradinaj: S’kemi marrë ftesë ende

Berisha: Populli u bë bashkë me UÇK-në edhe në ditët më të vështira

Berisha: Populli u bë bashkë me UÇK-në edhe në ditët më të vështira

Rapsodi i mirë nuk e prishë këngën për pare | Momenti