Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në Tiranë pas protestave të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe Policisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Schieder u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të ndalin menjëherë përshkallëzimin e situatës, duke theksuar se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, pavarësisht se nga kush ushtrohet.
Ai ka vlerësuar se protestat e të rinjve në qytete të ndryshme evropiane, përfshirë Parisin, Berlinin dhe Tiranën, pasqyrojnë kërkesat për arsim më të mirë dhe mundësi të barabarta.
Sipas Schiederit, këto kërkesa janë të drejta dhe duhet t’i shtyjnë qeveritë që të rishikojnë qasjen e tyre ndaj arsimit.
“Arsimi është investimi ynë më i rëndësishëm për të ardhmen dhe nuk duhet të varet kurrë nga mundësitë financiare të prindërve”, ka shkruar ai.
Megjithatë, raportuesi i Parlamentit Evropian ka theksuar se dhuna nuk mund të arsyetohet në asnjë rrethanë, qoftë kur ushtrohet nga individë që depërtojnë në protesta, apo nga institucionet shtetërore dhe Policia.
“Si raportues i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në Tiranë dhe bëj thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përshkallëzimit”, ka deklaruar Schieder.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Raportuesi i PE-së për Shqipërinë reagon për protestat e dhunshme në Tiranë: Dhuna nuk është zgjidhje appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




