Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar nga një muaj paraburgim Burim Ademit dhe Sadri Halimit, të arrestuar në operacionin antidrogë në fshatin Velekincë, ku Policia e Kosovës sekuestroi 53.2 kilogramë marihuanë.

Vendimi është marrë më 18 tetor 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, e cila i dyshon dy personat për dy vepra penale që lidhen me narkotikët.
Sinjali ka raportuar më herët se bëhet fjalë për Burim Ademin, rreth 38-vjeçar, dhe Sadri Halimin, rreth 55-vjeçar, të cilët u arrestuan më 16 tetor, gjatë një operacioni të zhvilluar në kuadër të hetimeve të koduara “MALI”.
Sipas njoftimit të Gjykatës, dy të pandehurit dyshohet se, gjatë periudhës nga shtatori deri më 16 tetor 2026, kanë vepruar në bashkëpunim për organizimin, blerjen, shitjen, shpërndarjen dhe transportimin e marihuanës, me qëllim përfitimin financiar. Veprimtaria e dyshuar, sipas Prokurorisë, shtrihej në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi.
Më 16 tetor, gjatë kontrollit policor në pronën e njërit prej të pandehurve në Velekincë të Gjilanit, në një veturë u gjetën dhjetë pako me substancë të dyshuar narkotike, me peshë të përgjithshme prej 53.2 kilogramësh.
Siç ka raportuar Sinjali, vlera e kësaj sasie në tregun vendor është përllogaritur në rreth 80 mijë euro. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe dy telefona celularë dhe dy automjete me targa vendore.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit dhe se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Të pandehurit dyshohen për veprat penale të organizimit, drejtimit apo financimit të trafikimit të narkotikëve dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.
Kundër vendimit për caktimin e paraburgimit, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post LEX | 53 kilogramë marihuanë në Velekincë, Gjykata ua cakton nga një muaj paraburgim Burim Ademit dhe Sadri Halimit appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




