Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, në një deklaratë lidhur me vendimin e sotëm të Gjykatës Supreme për kontratën e kontestuar të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), e cilësoi këtë vendim si një fitore për drejtësinë, interesin publik dhe 350 punëtorët e ndërmarrjes.

Kryetari Rama theksoi se vendimi, i cili e kthen çështjen në pikën zero, është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjen për mbrojtjen e pronës publike të Kryeqytetit në Lakrishte.
Ai rikujtoi se, që nga fillimi i mandatit të tij të parë, ka insistuar në hetimin e kontratës dhe të procesit përkatës, duke sqaruar se ky proces është iniciuar dhe zhvilluar në vitin 2021, gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë. Vendimi është marrë më 27 prill, kontrata është nënshkruar më 17 maj, leja e ndërtimit është lëshuar më 16 gusht, ndërsa aneks-kontrata është nënshkruar më 5 tetor të atij viti.
“Ne as nuk e kemi iniciuar, as negociuar dhe as nënshkruar këtë kontratë. Por kemi marrë përgjegjësinë për ta mbrojtur pronën publike dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës”, deklaroi Kryetari Rama.
Duke falënderuar Gjykatën Supreme për trajtimin e çështjes, Kryetari Rama theksoi se ka besuar në drejtësi dhe ka insistuar në ligjshmëri gjatë gjithë këtij procesi.
“Sot fitoi interesi publik! Fitoi drejtësia! Fituan 350 punëtorët e NPB-së!”, u shpreh ai.
Kryetari Rama ftoi organizatat joqeveritare, shoqërinë civile dhe mekanizmat e pavarur monitorues që ta përcjellin nga afër procesin e rivendosjes së rastit, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe respektim të ligjit.
Ai bëri të ditur se Kryeqyteti do t’i shtojë kapacitetet juridike dhe do ta forcojë mbikëqyrjen institucionale gjatë këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e plotë të interesit publik dhe të të drejtave të punëtorëve të NPB-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Rama: Vendimi i Gjykatës Supreme për kontratën e NPB-së, fitore për drejtësinë dhe interesin publik appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




