Policia e Shtetit në Shqipëri ka arrestuar 127 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 244 të tjerë gjatë katër ditëve të protestave në Tiranë.

Shifrat janë bërë të ditura të premten nga drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, i cili tha se të arrestuarit dyshohen për vepra penale, përfshirë shkatërrimin e pronës dhe kundërshtimin e punonjësve të policisë.
Ziu bëri të ditur se strukturat e specializuara për hetimin e krimit kibernetik dhe antiterrorizmin kanë nisur gjithashtu monitorimin e hapësirës virtuale.
Sipas tij, janë identifikuar disa kanale dhe grupe komunikimi ku dyshohet se janë shpërndarë mesazhe me përmbajtje kriminale, thirrje për akte ekstreme e terroriste, si dhe kërcënime të drejtpërdrejta ndaj jetës së punonjësve të Policisë së Shtetit.
Për këto raste është regjistruar procedim penal, ndërsa Policia po bashkëpunon me agjenci partnere ndërkombëtare për identifikimin e adresave IP, administratorëve të kanaleve dhe personave që dyshohet se kanë bërë thirrje për dhunë.
Ziu theksoi se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur qëllimet dhe veprimet e personave të dyshuar.
Në deklaratën e tij, Policia e Shtetit shprehu gjithashtu shqetësimin për përhapjen e lajmeve që i cilësoi të pavërteta dhe dashakeqe, duke thënë se ato synojnë të nxisin tensione dhe të cenojnë besimin e qytetarëve në institucion.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Policia shqiptare identifikon kanale online ku bëhen thirrje për akte terroriste appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




