Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit ka vendosur të mos lejojë vazhdimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënës Terezë në objektin e Ministrisë së Ekonomisë në Prishtinë derisa të nxirret një vendim nga gjykata.

Rama ka këmbëngulur se Komuna ka qenë në të drejtën e saj për ta vendosur muralin, duke theksuar se ka pasur vendim të plotfuqishëm të Asamblesë së Prishtinës dhe se fasadat e hapësirave publike janë në kompetencë të kryeqytetit.
“Prokurori paska marrë një vendim për të mos e lejuar punën derisa të vendosë gjykata. Një vendim që është marrë prej asamblistëve të kryeqytetit për ta vazhduar këtë punim, një vendim i plotfuqishëm me të gjitha lejet, të drejtat ligjore, kushtetuese si qeverisje lokale, është bllokuar tash sepse po thotë që ka kontest mes të dyja palëve, komuna e Prishtinës dhe Ministria. Po pse Ministria? Kjo nuk është ndërtesë e Ministrisë, këto hapësirat publike, fasadat janë në kompetencë të kryeqytetit dhe ne i kemi i kryer të gjitha veprimet e dokumentet që është plotësisht ligjore”, ka thënë Rama.
Deklarata e tij vjen pasi punëtorët nisën sot punimet për vendosjen e muralit sipas udhëzimeve të Komunës, ndërsa në vendngjarje ka ndërhyrë Policia e Kosovës për t’i ndaluar ato.
Rama ka akuzuar policinë se po iu nënshtrohet urdhrave politikë, duke thënë se zyrtarët morën “urdhër nga lart”.
Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë mbrëmë në reagimin e saj ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse, duke shtuar se më pas ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila doli në terren për të ndaluar punimet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





