Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se familjet e të miturve që përfshihen në akte dhune gjatë protestave mund të përballen me përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre.
Në një deklaratë këtë të hënë në mëngjes, Rama paralajmëroi gjithashtu masa administrative ndaj studentëve që braktisin mësimin për t’u përfshirë në sulme ndaj Policisë së Shtetit.

Ai tha se studentët që përfshihen në dhunë nuk do të përfitojnë më arsim falas, bursa apo mbështetje të tjera financiare nga shteti.
“U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t’ju përndjekë deri në fund”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë paralajmëroi se studentët që largohen nga shkolla për të sulmuar policinë do të përballen me pasoja administrative.
“Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti”, tha ai.
Rama theksoi se paratë e taksapaguesve do të përdoren për riparimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave, duke përmendur trotuaret, semaforët, kamerat e sigurisë, tabelat, stolat dhe pemët.
“Nëse duan të vazhdojnë universitetin, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdo që është në anën e shtetit, asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve, për asgjë”, u shpreh kryeministri.
Rama: 2,500 euro për çdo polic në frontin e protestës dhe rritje pagash nga 1 janari
Burimi: Dukagjini




