Kompania japoneze Sony ka krijuar një qen robotik të quajtur Aibo, i cili nuk mund të kryejë punë shtëpie, por ofron shoqëri dhe mbështetje emocionale për njerëzit.

Roboti, i cili u prezantua për herë të parë në vitin 1999, është shndërruar në një shoqërues të veçantë për pacientët dhe stafin në spitale dhe institucione të tjera.
Edhe pse prodhimi i Aibo-s ka përfunduar dhe pajisjet janë shitur të gjitha, disa pronarë i kanë dhuruar robotët e tyre në kuadër të një programi të posaçëm të Sony-t për adoptim.
Kompania i riparon dhe i përditëson ata, për t’u dhënë më pas një shtëpi të re.
I pajisur me sensorë, kamera dhe inteligjencë artificiale, Aibo mund ta njohë emrin e tij, fytyrën e pronarit dhe ambientin përreth.
Ai leh, lëviz veshët, tund kokën, afrohet kur e thërrasin dhe reagon me kënaqësi kur përkëdhelet, duke imituar sjelljen e një këlyshi të vërtetë.
Madje, në një spital pranë Tokios, roboti ka ndihmuar në lehtësimin e pritjeve të gjata për pacientët dhe ka arritur t’i bindë edhe fëmijët që hezitojnë t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore.
Mjekët thonë se prania e tij i motivon fëmijët dhe e bën përvojën në spital më pak të pakëndshme.
Sony shpreson që përmes këtij programi të përhapë ndikimin pozitiv emocional të robotëve dhe të nxisë ndërveprimin mes njerëzve. /Telegrafi/





