Elizabeta Qarri, e cila ishte pjesë e panelit përmbyllës të festivalit “Akordet e Kosovës”, ka vlerësuar nivelin profesional të orkestrës, skenografinë dhe organizimin e edicionit të sivjetmë të festivalit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Qarri ka theksuar se festivali solli në vëmendje një orkestër me potencial të lartë profesional dhe një organizim dinjitoz.

“Ky edicion solli në vëmendje një orkestër me potencial dhe nivel të lartë profesional, skenografi dinjitoze dhe një organizim që dëshmon përkushtimin ndaj muzikës dhe artit muzikor”, ka shkruar Qarri në Facebook.
Ajo ka vlerësuar se festivali ka hapësirë për zhvillim të mëtejshëm, duke veçuar nevojën për ngritjen e nivelit të interpretimit vokal.
“Gjithmonë ekziston hapësirë që edhe interpretimi vokal të fitojë akoma më shumë pjekuri artistike dhe baraspeshë me nivelin e shoqërimit instrumental”, ka theksuar ajo.
Qarri ka uruar RTK-në, organizatorët dhe fituesen e këtij edicioni të festivalit, kantautoren Troja Bicurri.
Burimi: RTKLive




