Ministri britanik për Marrëdhëniet Ndërqeveritare dhe Marrëdhëniet Evropiane të Mbretërisë së Bashkuar, Hamish Falconer, ka kritikuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili e ka quajtur disa herë presidentin rus Vladimir Putin “mikun tim”.

Në një intervistë për Sky News, Falconer e cilësoi Putinin si një “kasap”, duke dënuar ashpër luftën e Rusisë kundër Ukrainës, të cilën e përshkroi si barbare dhe të paligjshme.
“Çmimi i kësaj lufte ka qenë jashtëzakonisht i lartë dhe pothuajse askush nuk e ka paguar më shtrenjtë sesa vendi që përfaqëson ai njeri”, deklaroi Falconer.
Sipas tij, pasojat e luftës po ndihen rëndë edhe nga vetë qytetarët rusë, veçanërisht të rinjtë.
“Rusia po vuan tmerrësisht nga një luftë që është e paligjshme. Është brutale dhe po ua mohon të rinjve rusë shumë mundësi për të ardhmen”, theksoi ministri britanik.
Ai ishte kategorik kur u pyet nëse do ta konsideronte Putinin mik.
“A do të ishte Vladimir Putini miku im? Jo. Dhe ai nuk është as mik i Mbretërisë së Bashkuar”, u përgjigj Falconer.
I pyetur nëse qeveria britanike do t’ia përcillte Trumpit qëndrimin e saj lidhur me deklaratat për miqësinë me Putinin, ministri tha se kryeministri britanik komunikon rregullisht me presidentin amerikan.
“Kryeministri flet rregullisht me presidentin dhe nuk i zbut aspak qëndrimet kur bëhet fjalë për ndjenjat e forta që Mbretëria e Bashkuar ka lidhur me pushtimin rus të Ukrainës”, deklaroi ai. /Telegrafi/





