Sipas gazetës franceze “L’Equipe”, takimi është vlerësuar me nivelin e rrezikut tre nga pesë, për shkak të mundësisë së përplasjeve ndërmjet tifozëve dhe prishjes së rendit publik.
Shqetësimet lidhen veçanërisht me marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet tifozëve të Romës dhe atyre të Paris Saint-Germainit. Sipas “L’Equipe”, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe pranisë së tifozëve të Napolit, të cilët kanë marrëdhënie të afërta me grupin ultras të PSG-së, “Collectif Ultras Paris”, ndërsa kanë raporte të tensionuara me tifozët e Romës.

Për arsye sigurie, autoritetet franceze kanë vendosur që në stadium të lejohen maksimumi 1.500 tifozë të Romës. Kjo shifër është më e ulët se kapaciteti i sektorit të mysafirëve në “Parc des Princes”, i cili mund të pranojë pak më shumë se 2000 tifozë.
Për mbarëvajtjen e ndeshjes dhe sigurinë në zonat përreth stadiumit është kërkuar angazhimi i pesë njësive të policisë së trazirave ose xhandarmërisë. Secila njësi përbëhet nga gjashtëdhjetë deri në tetëdhjetë pjesëtarë.
Këto forca do t’i bashkohen edhe pjesëtarëve të policisë së Parisit, të cilët tashmë janë mobilizuar për këtë takim.
Burimi: RTKLive





