Prurja e re në Kombëtaren e Kosovës, Lindrit Kamberi ka folur para ndeshjes me Izraelin që zhvillohet të shtunën në stadiumin “Fadik Vokrri” në Prishtinë.

Ai ka thënë se lojtarët e Kosovës e kanë pritur mirë dhe se një pjesë të tyre edhe i ka njohur më herët.
“Shumicën i kam njohur, shumicën tjetër i kam parë në televizor. Ka qenë shumë pozitive. Stërvitjet kanë shkuar mirë. Trajneri na ka përgatit kundër izraelit në fazën e mbrojtjes dhe të sulmit dhe besoj se do të jemi të përgatitur për të shtunën”, ka thënë ai në një video të postuar nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Ai ka thënë se izraelitët do të mundohen ta japin maksimumin, por sipas tij, Kosova duhet të jetë e përgatitur për të arritur qëllimin e saj.
“Besoj se kena kohë edhe tri ditë me u përgatit dhe besoj se ka me qenë mirë për neve.”, ka thënë ai.
Ndryshe, Kamberi është njëri prej tre emrave që së fundmi janë bërë pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Bashkë me të, “Dardanëve” u janë bashkuar edhe Bleon Kurtulus dhe Enis Rexhepi.
Kamberi, mbrojtës 27-vjeçar vjen pas një periudhe të mirë te FC Zurich, ku është shndërruar në një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës zvicerane dhe këtë sezon ka bartur edhe shiritin e kapitenit. /Klankosova.tv





