Protesta e opozitës në Tiranë ka nisur me tensione, pasi qytetarët e mbledhur në sheshin “Skënderbej” kanë hedhur kapsollat e para.

Tensionet u zhvendosën para Kryeministrisë, ku protestuesit marshuan dhe u stacionuan. Në këto momente, ata kanë nisur të hedhin gurë dhe “breshëri” bombash molotov në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit është përgjigjur me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, raporton TopChannel.
Një protestues nuk është ndjerë mirë, dhe është transportuar në spital me ambulancë.
Pamjet tregojnë një shesh të mbushur me tym, ujë dhe shpërthime molotovi.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka bërë të ditur bilancin paraprak të të lënduarve gjatë protestës së sotme, deri në orën 15:00.
Sipas informacioneve nga strukturat spitalore, janë 19 të lënduar, mes tyre 6 policë, 4 gazetarë dhe 9 protestues
Vijon prej disa orësh protesta e cila nisi në orën 10:00 të mëngjesit dhe është shoqëruar me përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Një grup protestuesish kanë sulmuar godinën e Ministrisë së Bujqësisë, duke thyer derën e institucionit. Ndërkohë, protestuesit kanë sulmuar edhe selinë e Partisë Socialiste, ndërsa tubimi vijon të shoqërohet me akte dhune dhe dëmtime të pronës publike.
Pas përplasjeve me forcat e policisë edhe në sheshin “Skënderbej”, protestuesit janë shpërndarë në zona të ndryshme të kryeqytetit.





