Sipas CBC, protestat kanë vazhduar prej disa javësh, të udhëhequra fillimisht nga nxënësit e shkollave të mesme, të cilët kërkojnë më shumë financim dhe kushte më të mira mësimi.
Në Paris, situata është tensionuar, ku protestuesit kanë vënë zjarrin një veture dhe një kioske. Kur policia ka tentuar të largojë protestuesit për t’u krijuar hapësirë zjarrfikësve, ata janë përballur me hedhje gurësh dhe kanaçesh.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës gjatë protestave në Paris, ndërsa përplasje janë raportuar edhe në Marsejë.
Sipas policisë franceze, deri në mesditë janë regjistruar 140 protesta jashtë kryeqytetit, me rreth 32 mijë e 800 pjesëmarrës.
Ndërkohë, që nga fillimi i mobilizimit të nxënësve muajin e kaluar, janë arrestuar më shumë se 5 mijë të rinj dhe janë lënduar mbi 200 persona, sipas ministrit të Arsimit, Édouard Geffray.
Protestuesit kërkojnë më shumë mësimdhënës, infermierë shkollorë dhe asistentë mësimorë, si dhe riparimin dhe rinovimin e objekteve shkollore. Ata po ashtu kundërshtojnë koston e lartë të jetesës dhe çmimet e karburanteve.
Burimi: RTKLive




