Shkruajnë: Ivana Stradner dhe Abigail Camp

Për vite me radhë, Rusia e ka trajtuar Ballkanin si një fushëbetejë për ambiciet e saj gjeopolitike, duke shfrytëzuar ndasitë etnike, nxitur tensionet dhe sfiduar ndikimin perëndimor. Tani, Mali i Zi po kundërpërgjigjet.
Arrestimi në Mal të Zi i Mikhail Zvinchuk, themeluesit të kanalit të njohur të blogut ushtarak pro-Kremlinit, Rybar, sinjalizon një pikë kthese të mundshme në përballjen e vendit me Moskën. Ai u ndalua më 9 tetor, së bashku me bashkëshorten dhe tre shtetas të tjerë rusë, përpara se të dëbohej nga Mali i Zi dhe të udhëtonte drejt Rusisë. Kryeministri Millojko Spajiq konfirmoi ndalimin e Zvinchukut në X, duke iu referuar paralajmërimeve se Mali i Zi mund të përballet me përpjekje për destabilizim dhe luftë hibride.
Zvinchuk tashmë është kthyer në Moskë, por çfarë zbulon dëbimi i tij për marrëdhëniet në zhvillim të Malit të Zi me Kremlinin?
Zvinchuk ka qenë pjesë e ushtrisë ruse dhe në vitin 2018 themeloi Rybar-in së bashku me Denis Shchukin, një programues me bazë në Moskë. Fillimisht, kanali u përqendrua kryesisht në Lindjen e Mesme. Audienca e tij mbeti e kufizuar deri në nisjen e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt të vitit 2022, kur ajo u shndërrua në një platformë të rëndësishme të luftës informative, me më shumë se 1.5 milion abonentë.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Rybar fillimisht u financua nga themeluesi i ndjerë i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ndërsa më vonë mori financime nga Rostec, konglomerati shtetëror rus i mbrojtjes, ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione në qershor të vitit 2022.
Përtej komenteve të tij, kanali është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në luftë. Ai ka publikuar pozicionet e forcave ukrainase dhe është mburrur se ushtria ruse i përdor të dhënat e tij për sulme me raketa, dhe Zvinchuk ka pretenduar se i ka furnizuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe grupin Wagner me koordinatat e objektivave. Në dhjetor të vitit 2022, presidenti rus Vladimir Putin e emëroi atë në një grup pune që koordinonte përpjekjet e Rusisë për mobilizim ushtarak, ndërsa në vitin 2023 Bashkimi Evropian e sanksionoi për këtë rol.
Veprimtaria e tij shtrihet shumë përtej Ukrainës, pasi kanali promovon narrativa pro-Kremlinit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Mali i Zi nuk është i vetmi vend në Ballkan ku Moska është përpjekur ta zgjerojë ndikimin e saj. Në Bosnjë-Hercegovinë, Rusia ka shfrytëzuar ndasitë e thella etnike, duke kultivuar lidhje të ngushta me politikanin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili mbështet Vladimir Putinin dhe ka kërcënuar vazhdimisht me shkëputjen e Republikës Sërpska. Tridhjetë vjet pas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës, sistemi i brishtë politik i vendit mbetet i cenueshëm ndaj ndërhyrjeve ruse.
Gjatë një vizite në qershor të vitit 2024 në Republikën Sërpska, territor me shumicë serbe brenda Bosnjë-Hercegovinës, Zvinchuk diskutoi planet për hapjen e një “shkolle mediatike” të Rybarit. Në një intervistë të po atij viti, ai paralajmëroi se Ballkani “do të marrë flakë” ndërsa konfliktet e tjera shuhen. Në nëntor të vitit 2025, ai udhëtoi drejt Bosnjë-Hercegovinës, duke hyrë në vend në ditën e zgjedhjeve presidenciale në Republikën Sërpska, dhe, sipas raportimeve, filmoi komente për zgjedhjet jashtë ndërtesës së qeverisë së këtij entiteti.
Në një festival të organizuar nga RT në Serbi, në vitin 2025, Zvinchuk i cilësoi Kosovën dhe Republikën Sërpska si “pika shumë të ndjeshme presioni ndaj Rusisë” dhe pretendoi se Perëndimi dëshironte të ndërtonte një bazë amerikane në Republikën Sërpska.
Zgjerimi i Rybarit në Ballkan është pjesë e një operacioni më të gjerë ndërkombëtar për ushtrimin e ndikimit, i cili po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e qeverive perëndimore.
Bashkimi Evropian e sanksionoi Zvinchukun në vitin 2023, i ndjekur nga Londra, duke bërë që lidhjet e Rybarit me Kremlinin të viheshin nën një vëzhgim gjithnjë e më të madh perëndimor. Në vitin 2024, Departamenti Amerikan i Shtetit e akuzoi Zvinchukun se po përpiqej të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale në ShBA dhe ofroi deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e përfshirë. Në vitin 2026, Mbretëria e Bashkuar sanksionoi 10 individë që qëndrojnë pas Rybar-it, për “përhapjen e narrativave të rreme për Ukrainën dhe ndërhyrjen në zgjedhjet evropiane, përfshirë ato në Moldavi dhe Armeni”.
Për Moskën, Mali i Zi përfaqëson një pikë potencialisht të dobët në krahun juglindor të NATO-s dhe një portë strategjike drejt Detit Adriatik. Që prej anëtarësimit në NATO në vitin 2017, vendi është përballur me përpjekjet ruse për të minuar orientimin e tij perëndimor dhe synimet për anëtarësim në BE. Tensionet datojnë që nga viti 2016, kur Mali i Zi akuzoi operativët rusë se po planifikonin një grusht shteti për të rrëzuar qeverinë dhe për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO.
Tashmë, rreziku është edhe më i madh. BE-ja ka rikonfirmuar mbështetjen për synimin e Malit të Zi për t’u anëtarësuar deri në vitin 2028, duke e bërë atë vendin kandidat kryesor për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, ndërsa Podgorica i afrohet këtij objektivi, ndërhyrjet ruse rrezikojnë ta ndërlikojnë rrugën e saj. Arrestimi i themeluesit të Rybar-it, Mikhail Zvinchuk, sinjalizon një qëndrim më të ashpër ndaj operacioneve ruse të ndikimit. Por Mali i Zi është ende larg daljes nga rreziku. Me ambiciet e tij evropiane në lojë, Moska ka ende shumë mundësi për të shfrytëzuar dobësitë e vendit.
NATO-ja duhet ta ripërtërijë mbështetjen e saj, duke u mbështetur në dislokimin e vitit 2019 të një Ekipi Mbështetës Kundër Kërcënimeve Hibride në Mal të Zi, ndërsa BE-ja duhet të dërgojë ekipe për reagim ndaj kërcënimeve hibride, duke ndjekur modelin e saj në Moldavi.
Për Moskën, ambiciet perëndimore të Malit të Zi përbëjnë një kërcënim për ndikimin e saj në Ballkan. Rybar është një nga mjetet e kësaj përpjekjeje, ndërsa arrestimi i Zvinchukut është një paralajmërim. Pyetja është nëse NATO-ja dhe BE-ja do të ndërmarrin hapa më të vendosur përpara se Kremlini të kundërpërgjigjet.
Shkrimi është botuar fillimisht në “KyievPost”, dhe është përkthyer dhe përshtatur nga Klankosova.tv




