Një qytetar ka ngritur shqetësime lidhur me gjendjen e një klase në Shkollën e Mesme të Lartë “Hysni Zajmi” në Gjakovë, duke pretenduar se në të ka prani të mykut.

Lidhur me këtë çështje, Klankosova.tv ka kontaktuar drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjakovë, Hysen Brahimaj, i cili ka mohuar se në këtë shkollë është konstatuar prani e mykut.
Brahimaj ka bërë të ditur se, ndonëse nuk është evidentuar myk, gjendja e dy klasave të vendosura në hapësirat e bodrumit nuk është në nivelin e kërkuar.
“Ju njoftojmë se në Shkollën e Mesme të Lartë “Hysni Zajmi” në Gjakovë nuk është konstatuar prania e mykut, po ashtu nuk kemi pas krekës për një gjendje ku tregon prezencën e mykut, ndërsa gjendja e dy klasave të vendosura në hapësirat e bodrumit nuk është në nivelin e kërkuar”, tha ai në një përgjigje për Klankosova.tv.
Sipas tij, i gjithë objekti shkollor është lyer gjatë pranverës së këtij viti, ndërsa gjatë kësaj jave kanë nisur punimet për lyerjen dhe përmirësimin e dy hapësirave në fjalë, me qëllim të krijimit të kushteve më të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.
“Për dy hapësirat në fjalë janë planifikuar ndërhyrje shtesë, ndërsa gjatë kësaj jave kanë filluar punimet për lyerjen dhe përmirësimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit.
Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit në Gjakovë ka hartuar edhe një projekt për zgjerimin e objektit të shkollës, të cilin e ka përcjellë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës për shqyrtim të mëtejmë.
“Projekti parasheh ndërtimin e një aneksi të ri, me qëllim që dy klasat aktuale në bodrum të zhvendosen në hapësira më të përshtatshme. Ky investim do të mundësonte gjithashtu krijimin e hapësirave më të mira për kabinete, duke ofruar kushte më të përshtatshme për zhvillimin e mësimit praktik për nxënësit dhe stafin mësimor”, tha Brahimaj.
“Drejtoria e Arsimit në Gjakovë mbetet e përkushtuar për përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës shkollore dhe për krijimin e kushteve të sigurta e të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit”.
Pamjet e mëposhtme janë dërguar nga ankuesi i cili iu drejtua redaksisë së Klankosova.tv.







