Policia suedeze ka qëlluar dhe plagosur një burrë të armatosur pranë Pallatit Mbretëror në qendër të Stokholmit.
Ngjarja ndodhi të martën në mbrëmje, pasi policia mori një njoftim për një person që po shkaktonte shqetësim dhe që dyshohej se mbante armë.
Forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje hapën zjarr ndaj burrit. Ai u godit nga plumbat dhe u dërgua në spital.
“Burri u qëllua dhe u dërgua në spital”, tha për AFP zëdhënësja e policisë së Stokholmit, Susanna Rinaldo, transmeton Telegrafi.
Sipas saj, plagët e tij konsiderohen serioze, por jo kërcënuese për jetën.
Fillimisht, policia nuk bëri të ditur se çfarë lloj arme kishte personi, ndërsa theksoi se operacioni policor ishte ende në zhvillim. Autoritetet thanë se nuk kishte rrezik për publikun.
Gazeta suedeze Expressen raportoi se burri ishte afruar te rojet e pallatit i armatosur me thikë dhe u kishte kërkuar që ta qëllonin.
Në një përditësim të mëvonshëm, policia njoftoi se kishte nisur hetim për “kërcënime të rënda ndaj një zyrtari publik” dhe për një vepër të rëndë që lidhet me përdorimin e thikës.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera për motivin e ngjarjes apo identitetin e personit. /Telegrafi/




