Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, lidhur me çmimin e një shiriti në një kontratë, duke e akuzuar atë për mashtrim të opinionit.
Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se çmimi prej 8.50 eurosh për metër nuk është vetëm për materialin, por përfshin një sërë shërbimesh, nga furnizimi dhe transporti deri te vendosja dhe mirëmbajtja.

Sipas tij, në këtë çmim përfshihen furnizimi me material, transporti, angazhimi dhe puna e punonjësve të kompanisë, shtrirja dhe vendosja e shiritit në kanalin përkatës, garancia për 10 vjet, mirëmbajtja për të njëjtën periudhë pa kosto shtesë, si dhe TVSH-ja.
“SQARIM PËR SHOW-N E RADHËS POLITIK ME “SHIRIT”
Deputeti i VETËVENDOSJES po e mashtron opinionin kur e paraqet çmimin e një SHËRBIMI si çmim të një SHIRITI.
8.50 euro për metër,përfshijnë:
* Furnizimin me material.
* Transportin.
* Angazhimin dhe punën e punonjësve të kompanisë.
* Shtrirjen dhe vendosjen e shiritit në kanalin përkatës nga punonjësit kompetentë.
* Garancinë për 10 vjet, sipas kushteve të kontratës.
* Mirëmbajtjen për 10 vjet, sipas nevojës, pa kosto shtesë.
* Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).
Krejt këto shërbime me i paraqitë vetëm si çmim të një “shiriti” është veprim i ulët.
Për më tepër, kjo procedurë është trajtuar nga:
* Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
* Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP).
* Auditorët e brendshëm.
* Auditorët e jashtëm.
* Hetuesia.
Nëse Ilir Kërçeli mendon që është më i dijshëm se të gjitha këto institucione dhe organe kompetente, le t’na kallxon!
Për më tepër, i propozoj që, kur del në publik për me bo shfaqje televizive, t’i marrë informacionet bazë.
Ai shirit nuk shërben për ta kufizuar zonën e punimeve.
Është shirit nëntokësor që paralajmëron praninë e kabllove elektrike, për të shmangur dëmtimin e tyre dhe mos me i rreziku puntorët gjatë gërmimeve në të ardhmen nga:
Ujësjellësi,
KEDS-i,
Termokosi ose cilado kompani apo ndërmarrje tjetër.
E di që pas deklaratave të mia për Kryeministrin do të ketë invazion sulmesh ndaj meje, por më lejoni t’ju rikujtoj se do të kujdesem që për secilën shpifje ta ndjek rrugën ligjore.
Ilir, për herën tjetër, lexoje kontratën. Kuptoje. Pastaj dil para qytetarëve”, ka shkruar Rama.
Burimi: Dukagjini




