Përplasje qytetërimesh

Përplasje qytetërimesh

Përplasje qytetërimesh

Shkruan: Blerim Shala

Sponsor 3M Express

Kjo është një përplasje qytetërimesh brenda shtetit më të fuqishëm në Botë.

Huazimi i konceptit/ parashikimit namëmadh të Samuel Huntingtonit se çfarë do të ndodhë në Botën e post-Luftës së Ftohtë, në përshkrimin e zhvillimeve në Amerikën e sotme, duket i tepërt dhe i gabuar.

Ama, vetëm në shikimin e parë.

Gjithë Bota e lume i ka përcjellë zgjedhjet e mes-mandatit (midterm elections), për Dhomën e përfaqësuesve dhe Senatin amerikan, të cilat u mbajtën të martën e kaluar (me 3 nëntor).

Këto zgjedhje rëndom janë një test i madh i popullaritetit dhe arritjeve të një Administrate aktuale amerikane, dhe parathonë atë dyvjeçarin e mbetur të mandatit të një Presidenti amerikan.

Kështu e ka demokracia amerikane. Edhe në kohërat e telasheve të mëdha, vendore dhe ndërkombëtare, siç është zaten rasti me Administratën e Presidentit Donald Trump.

Amerikanët folën, (me votime), kësaj here, më kumbueshëm se kurrë më parë në disa dhjetëvjetësha. Ndodhi fenomeni që tashmë është kodifikuar si ‘Cunami i kaltër’ (ngjyra blu është identifikuese për Partinë Demokratike), në të katër anët e Amerikës. Demokratët fituan në vendet ku nuk e kishin bërë këtë punë me dhjetëra vjet. Dhe, sipas të gjitha gjasave, më së paku me meritën e tyre.

Edhe pse emri i tij nuk u gjet kund në fletëvotimet ku zgjedheshin kongresistët, senatorët dhe guvernatorët, këto zgjedhjet ishin një lloj Referendumi për qeverisjen e Presidentit Trump me Amerikën.

Dhe duhet shtuar këtu menjëherë, qytetari mesatar amerikan nuk mërzitet shumë se çfarë po bën Presidenti i Amerikës nëpër Botë, derisa nuk ka viktima të shumta amerikane në luftë, dhe teksa jeta e tyre nuk ndikohet, për të keq, nga këto veprime të krye banorit të Shtëpisë së Bardhë.

Na kujtohet që Presidenti Trump llogaritej si fitues i sigurt i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, për ta fituar mandatin e dytë të tij, deri diku në muajin mars të atij viti. Gjithçka u zmbraps pas shpërthimit të epidemisë së Covid-19 dhe mënyrës se si Administrata e tij luftoi me te.

Po mos të ishte Covid-19, Joseph Biden nuk do të kishte gjasa kurrë të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, tash si President i ShBA-së.

Deri në marsin e këtij viti, turbulencat politike të Administratës së dytë të Presidentit Trump, në mandatin e tij të dytë, mbaheshin pak a shumë nën kontroll. Por pastaj, nisën të shfaqen, gjithnjë e më shumë, pasojat dhe problemet e luftës së ShBA-së dhe të Izraelit me Iranin, për jetën e qytetarëve të zakonshëm të Amerikës. Ata edhe ashtu u dëmtuan më parë me politikën e tarifave të Presidentit.

Kuleta e një qytetari amerikan, ndjenja e tij e pasigurisë sociale dhe bindjet që përkojnë me përfitimet e pamerituara të politikanëve të lartë, u bënë bashkë për t’i dhënë krah ndryshimeve të mëdha politike në Amerikë.

Megjithatë, tej këtyre interpretimeve të qëndrueshme dhe të bazuara të arsyeve të fitores së paparë të demokratëve dhe humbjes së hidhur të republikanëve, është e pamundur të mos theksohet që këtu kemi të bëjmë edhe me një dyluftim të madh brenda politikës amerikane për drejtimin që ka marrë, dhe që (eventualisht), duhet të merr Amerika në vitet dhe dekadat e ardhshme.

Dhe në këtë kontekst, s’do mend që mund të flitet për atë përplasjen e qytetërimeve brenda një shteti dhe një kombi, pa të cilin shtet dhe komb, historia e Botës, që nga fillimet e Shekullit XX deri më sot, do të ishte krejtësisht ndryshe.

Për këtë shkak tek e fundit, zgjedhjet në Amerikë përcjellën me aq interes anekënd Rruzullit tokësor.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve të mes-mandatit, në këtë frymë, kanë hapur si asnjëherë më parë, në dhjetë vjetët e fundit (në mos edhe më shumë), debatin politik në Amerikës për të ardhmen e saj.

Do të jetë ky një debat vendimtar për Amerikën e dhjetëra viteve të ardhshme. Dhe ky debat, do të jetë në masë të madhe përcaktues për drejtimin që do ta merr Bota.

Lexo edhe

‘‘Nga furgoni dolën 4 persona, me goditën dhe tentuan të më fusin brenda’’, Elton Tozaj rrëfen ngjarjen si e sulmuan

‘‘Nga furgoni dolën 4 persona, me goditën dhe tentuan të më fusin brenda’’, Elton Tozaj rrëfen ngjarjen si e sulmuan

Gjoba për 43 shoferë kamionësh në Shkup, policia me kontrolle të shtuara në trafik

Gjoba për 43 shoferë kamionësh në Shkup, policia me kontrolle të shtuara në trafik

Franco Foda publikon listën për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën, tre futbollistë ftohen për herë të parë

Franco Foda publikon listën për ndeshjet me Izraelin dhe Irlandën, tre futbollistë ftohen për herë të parë

Përplasje qytetërimesh | Momenti