Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas raportimeve për dorëheqjen e mundshme të kryetarit të saj, Bedri Hamza, duke sqaruar se ende nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për largimin e tij nga drejtimi i partisë.

Në reagimin e saj, PDK-ja ka konfirmuar se Hamza e ka bërë të ditur publikisht vendimin që të mos kandidojë më për kryetar, ndërsa dorëheqjen do ta paraqesë kur të hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme.
“Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Kryetari Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më”, thuhet në përgjigjen e PDK-së.
Ky sqarim vjen pas raportimeve se Hamza tashmë kishte vendosur të largohej nga drejtimi i subjektit politik dhe se Vlora Çitaku pritej ta merrte pozitën e ushtrueses së detyrës së kryetares.
Megjithatë, PDK-ja nuk ka konfirmuar ndonjë vendim për emërimin e një ushtruesi të detyrës apo për ndryshime të menjëhershme në udhëheqjen e partisë.
Partia ka bërë të ditur se aktualisht është e përqendruar në çështjen e mbështetjes së mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
“Në këtë fazë, PDK-ja është e përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në fazën e apelit”, thuhet tutje në reagim.
Nga PDK-ja kanë theksuar se publiku do të informohet me kohë për çdo vendim zyrtar që lidhet me zhvillimet e brendshme të partisë.
“Për çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda partisë, do t’ju njoftojmë në kohën e duhur”, përfundon reagimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post PDK-ja për largimin e Bedri Hamzës: Do të japë dorëheqje, nuk do të kandidojë më për kryetar appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




