Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur shpalljen e procesit të gradimit për gradën rreshter në Policinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si mundësi të rëndësishme për avancimin profesional të zyrtarëve policorë.
Përmes një postimi, Sveçla ka thënë se avancimi profesional dhe vlerësimi i meritës janë thelbësorë për fuqizimin e Policisë së Kosovës dhe motivimin e pjesëtarëve të saj.

“Mirëpres shpalljen e procesit të gradimit për gradën Rreshter në Policinë e Kosovës, si një mundësi e rëndësishme për avancimin në karrierë të zyrtarëve policorë që shërbejnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve dhe të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.
Ai u ka bërë thirrje veçanërisht grave dhe vajzave që të aplikojnë për këtë gradë, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit dhe fuqizimit të tyre brenda Policisë së Kosovës.
“Inkurajoj veçanërisht gratë dhe vajzat që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë për avancim profesional, duke kontribuar edhe më shumë në përfaqësimin dhe fuqizimin e grave në Policinë e Kosovës”, ka deklaruar ministri.
Pas raportimit të Dukagjinit anulohet konkursi i gradimit për rreshter
Shpallja e këtij procesi vjen pas anulimit të konkursit të mëparshëm për gradën rreshter, të shpallur më 12 shkurt 2024, pas shqetësimeve dhe ankesave lidhur me rregullsinë e tij.
Dukagjini kishte raportuar që nga maji i vitit 2024 për dyshime për parregullsi në këtë proces, përfshirë pretendimet për favorizime të mundshme dhe shpërndarjen e testit të një grupi të kandidatëve para kohës së paraparë.
Pas raportimeve dhe ankesave të kandidatëve, Inspektorati Policor i Kosovës kishte kryer një inspektim të jashtëzakonshëm, ndërsa Policia e Kosovës kishte vendosur ta anulonte konkursin, duke u zotuar se do t’i merrte parasysh rekomandimet e IPK-së.
Në raportin e inspektimit, IPK-ja kishte evidentuar dobësi në fazën e konkurrimit dhe kishte dhënë tetë rekomandime për përmirësimin e procesit. Ndër të tjera, kishte kërkuar harmonizimin e bazës ligjore, qartësimin e kritereve të aplikimit, verifikimin e kushteve të kandidatëve dhe përmirësimin e përgatitjeve teknike e administrative.
Burimi: Dukagjini




