Pa Evropën s’merr fund Lufta në Ukrainë

Pa Evropën s’merr fund Lufta në Ukrainë

Pa Evropën s’merr fund Lufta në Ukrainë

Shkruan: Blerim Shala

Sponsor 3M Express

Nuk mund të vendoset për Ukrainën, pa Ukrainën. 

Apo, nuk mund të ketë paqe në Ukrainë, në kundërshtim me interesat e shtetit të Ukrainës, i cili tash e gati pesë vjet (në shkurt mbushen pesë vjet), është viktimë e agresionit të Rusisë.

Ndërsa, nëse na kujtohet, para se të niste kjo luftë, Vladimir Putin, në emër të Rusisë i kërkonte SHBA-së që Moska dhe Washingtoni të merren vesh, në një Jaltë 2.0, për arkitekturën e sigurisë në Evropë, dhe jo vetëm për relacionet në mes të Rusisë dhe Ukrainës.

Putin, lideri më jetëgjatë në historinë e Rusisë pas Stalinit, pra, atëbotë synonte që për Evropën dhe fatin e saj në dimensionin më të rëndësishëm të sigurisë, të vendoset pa Evropën, siç në realitet kishte ndodhë në Konferencën e Jaltës, gati në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

Britania e Madhe e Kryeministrit Winston Churchill ishte aty, por ajo realisht, më së paku pyetej në këtë trekëndëshin e bërë prej SHBA-së, Bashkimit Sovjetik të atëhershëm dhe SHBA-së.

E pra, krahasimet me Jaltën morën hov këto ditë pas një Samiti të paparë deri tash, të mbajtur në Shenzhen të Kinës, i cili tuboi Donald Trumpin, Presidentin e Amerikës, Vladimir Putinin, Presidentin e Federatës së Rusisë dhe Xi Jinpingun, Presidentin e Kinës, i cili ishte nikoqir i këtij Samiti.

Kur nuk je rreth tavolinës, je në menu. Kështu thuhet në diplomaci. Natyrisht, kësaj here, ky rrëfim përkon me mungesën e Bashkimit Evropian në këtë Samit.

Në të vërtetë, ajo Jalta e parë (e mbajtur në muajin shkurt të vitit 1945), nuk piku prej qielli.

Lufta e bëri të veten. Ajo shfaqi këto tri shtete, Amerikën, Bashkimin Sovjetik dhe Britaninë e Madhe si fituese të mirëfillta të luftës, dhe si adresa vendimtare për ri-organizimin e Evropës pas një tragjedie që bëri shkrumb e hi kontinentin e vjetër.

Pra, realisht, nuk kishte kush të flasë në emër të Evropës, për Evropën.

Evropa u vetë-shkatërrua.

Tani, rrethanat janë krejtësisht ndryshe, dhe me asgjë Evropa e sotme, si Bashkim Evropian, nuk ka si të krahasohet me atë të vitit 1945.

Kjo është absolutisht e qartë.

Por, ky formati trepalësh i Shenzhenit, është sfidë dhe madje kërcënim për Evropën në rrethanat e tanishme, jo fort si përmbajtje, sa si formë, ku mungon prania e BE-së.

Evropa, deri vonë së paku, deri në vitet e Luftës në Ukrainë, në masë të madhe është definuar si një ‘gjigand ekonomik’ dhe si një ‘xhuxh gjeo-politik’.

Mëkëmbja historike e Evropës ishte pra pasojë e përpjekjes së Rusisë për ta ndryshuar gjeografinë/ kufijtë e Ukrainës, në mësymjen e Vladimir Putinit për ta mëkëmbur një Perandori të re ruse. 

Por Evropa këtu u ndihmua në masë të madhe nga dy fakte: Aleanca Veri-Atlantike dhe Administrata e Presidentit të atëhershëm amerikan Joe Biden.

Gjërat kanë ndryshuar me të madhe në SHBA, teksa Aleanca Veri-Atlantike mezi po mbahet në këmbë. 

Më në fund, BE-ja ka një ’defekt të lindur’, (si thuhet), sepse vendimmarrja në te, që prej fillimit është organizuar në atë mënyrë që të mos ketë mundësi asnjë shtet i madh ta imponojë vullnetin e vet për çështjet madhore, teksa, madje (si dihet), edhe shtetet e tjera të BE-së kanë të drejtë të aplikojnë të drejtën e Veto-s.

Në këtë mënyrë, Evropianët, me qëllim që ta shmangin një situatë kur të mëdhenjtë qepin fatin e të tjerëve, kanë bërë që ta paralizojnë vetëveten edhe kur fati i Evropës është në pyetje. 

Kjo po kuptohet gjithnjë e më shumë kohëve të fundit, sepse realisht, nuk ka qëndrim të përbashkët dhe kategorik të BE-së se si dhe kur duhet të merr fund Lufta në Ukrainë, e cila financiarisht, më së shumti i ka kushtuar asaj, teksa deri tash, ajo, më së paku ka pasur rol në përpjekjet ndërkombëtare për ta imponuar paqen në Ukrainë.

Tejkalimi i këtij paradoksi është i domosdoshëm për BE-në. Pa arritur këtë, zaten, është e pamundur që të merr fund Lufta në Ukrainë dhe që BE-ja të shfaqet si faktor pa të cilin nuk mund të vendoset për fatin e Evropës.

Lexo edhe

Një nga sekuestrimet më të mëdha në historinë e Londrës, zbulohen 893 kilogramë kokainë

Një nga sekuestrimet më të mëdha në historinë e Londrës, zbulohen 893 kilogramë kokainë

Kafja në Zvicër po shtrenjtohet, një filxhan kushton mesatarisht deri në 5.46 franga

Kafja në Zvicër po shtrenjtohet, një filxhan kushton mesatarisht deri në 5.46 franga

Polici harron armën zyrtare në pompën e derivateve, një person e merr atë

Polici harron armën zyrtare në pompën e derivateve, një person e merr atë

Pa Evropën s’merr fund Lufta në Ukrainë | Momenti