Dy biznese në Fushë Kosovë janë bërë cak i një 44-vjeçari që dyshohet se brenda më pak se dy orësh tentoi të depërtonte në një market dhe më pas vodhi para e pije nga një kafene. Aventura e tij gjatë orëve të para të mëngjesit ka përfunduar me arrestim dhe ndalim për 48 orë, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është Valentin Haxhikadri, rreth 44 vjeç.
Incidenti i parë është regjistruar më 21 nëntor, rreth orës 03:45, kur cak ishte bërë “Marketi Maxi” në Fushë Kosovë.
I dyshuari dyshohet se kishte tentuar të depërtonte me forcë brenda marketit, por nuk kishte arritur, duke lënë pas derën e dëmtuar.
Më pak se dy orë më vonë, rreth orës 05:40, cak i vjedhjes ishte bërë lokali “Caffe te Valbona”, ku ishte arritur të depërtohej me forcë.
Këtë herë, nga lokali ishin marrë 19 euro nga arka, një komplet me pije energjike “Golden Eagle”, një komplet me “Coca-Cola”, dy shishe me pije alkoolike “Badel” dhe një shishe uiski “Jack Daniel’s”.
Pas denoncimit të rasteve, hetuesit e Stacionit Policor në Fushë Kosovë kanë nisur veprimet operative në terren, duke arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë Haxhikadrin si të dyshuar për të dyja incidentet.
Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Ndaj 44-vjeçarit kanë nisur hetimet për veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





