Manifestimi i shkollës fillore “Goce Dellçev” në Tetovë, me rastin e shënimit të 82-vjetorit të çlirimit të qytetit, do të jetë objekt i verifikimit nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Ministrja Vesna Janevska paralajmëron se do të kërkohet përgjegjësi nëse konstatohen parregullsi, pasi gjatë aktivitetit u shfaqën fëmijë të veshur me uniforma ushtarake dhe me armë të improvizuara.
Manifestimi u mbajt më 19 nëntor, para Pallatit të Kulturës në Tetovë, ndërsa në program morën pjesë nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore “Goce Dellçev”.
Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale, shkolla bëri të ditur se nxënësit kishin marrë pjesë në programin festiv për të shënuar këtë përvjetor, duke theksuar rëndësinë e njohjes së historisë dhe kultivimit të dashurisë për qytetin.
Pas publikimit të pamjeve, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, është pyetur nëse institucionet do të veprojnë edhe në këtë rast, ashtu siç ishte kërkuar ndërhyrja e inspektoratit para dy vitesh për një aktivitet në shkollën fillore “7 Marsi” në Çellopek. Janevska tha se përgjegjësia do të kërkohet nëse konfirmohen pretendimet.
“Sigurisht, nuk ka dilemë. Do të veprojë edhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe, nëse vërteton se është e vërtetë, do të kërkohet përgjegjësi. Do të kërkojë edhe zbatimin e programeve për bashkëpunim dhe mirëkuptim ndëretnik, si dhe multikulturalizëm në shkolla. Ne ndajmë mjete për këtë. Sigurisht, do të bëjmë edukim shtesë, ashtu siç bëmë edhe në Çellopek. Do t’u kërkojmë partnerëve tanë të huaj të përfshihen në këto procese, në mënyrë që të arrijmë efekt më të madh”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Në nëntor të vitit 2024, në shkollën fillore “7 Marsi” në Çellopek, disa nxënës shqiptarë ishin paraqitur me uniforma të UÇK-së dhe armë plastike gjatë një aktiviteti shkollor.
Atëkohë, ministrja Janevska kishte reaguar ashpër, duke kërkuar kontroll nga Inspektorati i Arsimit dhe duke paralajmëruar përgjegjësi për organizatorët. Pas kontrollit, përgjegjësia për organizimin e aktivitetit iu la një mësimdhënëseje të shkollës.
Rasti në Çellopek kishte shkaktuar reagime edhe në skenën politike, ndërsa partitë opozitare shqiptare e kishin kritikuar ministren për mënyrën se si e kishte trajtuar ngjarjen./Alsat/





