Një gjobë prej 800 eurosh, e shqiptuar për armëmbajtje pa leje, është shndërruar në 40 ditë burgim për një person nga Leposaviqi, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhëresë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Rados Milanoviqin, rreth 59-vjeçar, nga fshati Zërrnosek i Leposaviqit, i cili ishte evidentuar në listën e personave të kërkuar gjatë kontrollit në pikën kufitare në Jarinjë.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, më 16 shtator 2026, rreth orës 18:40, gjatë verifikimit në kufi, kishte rezultuar se ndaj Milanoviqit ekzistonte një urdhëresë e lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Për këtë vepër, atij i ishte shqiptuar gjobë prej 800 eurosh, por për shkak të mospagesës, me aktvendimin e datës 23 shtator 2026, gjoba ishte zëvendësuar me dënim me burgim prej 40 ditësh.
Në zbatim të urdhëresës gjyqësore, Milanoviqi është dërguar në vuajtje të dënimit. Rasti është proceduar si “Urdhëresë e realizuar”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Nuk e pagoi gjobën prej 800 eurosh për armëmbajtje pa leje – 59-vjeçari nga Leposaviqi përfundon me 40 ditë burg appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




