Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), i është drejtuar eprorit policor me kërkesën që t’u lejohet të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës deri në përfundimin e votimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gucati kërkoi që veteranët të qëndrojnë në hapësirën përpara Kuvendit, duke theksuar se synimi i tyre është të presin procesin e votimit dhe se nuk kanë ndërmend të shkaktojnë incidente.
Eprori policor, ndërkaq, i bëri një kërkesë Gucatit që të mos ketë përplasje apo tentativa për hyrje në hapësirat e Kuvendit.
“Vetëm një kërkesë e kam, mos na sfido, nëse ti me 2-3 vetë doni me hy…”, i tha eprori policor Gucatit.
Në përgjigje, Gucati tha se veteranët do të qëndrojnë të qetë dhe nuk do t’i afrohen ndërtesës së Kuvendit, duke shtuar se do të presin zhvillimet e procesit parlamentar.
“Bëhet mirë me emër të Zotit. As shkallë nuk afrohemi, do të presim çka do. Sa të lexohet ligji në lexim të dytë, ne nuk afrohemi. Asnjë xham nuk do të thyhet”, tha Gucati.
Ai shtoi se veteranët nuk kanë ardhur për të shkaktuar dhunë apo për të fyer deputetët.
“Ne ju kemi pru në pushtet e jo me ju fye juve… kemi derdhur gjak për këtë vend. Ne s’po gjuajmë me tulla e s’po ju shajmë, as nuk ju shajmë”, u shpreh Gucati. /Telegrafi/




