Dy pjesëtarë të ekipit të emisionit ‘Kiks Kosova’, që transmetohet në Klan Kosova, kanë pësuar lëndime fizike pasi janë sulmuar nga tre persona të panjohur në Ferizaj.
Ekipi ka qenë në automjetin e tyre në lëvizje kur dy automjete të tjera ua kanë bllokuar rrugën.
Nga ato vetura kanë dalë së paku tre persona të cilët kanë sulmuar stafin e Kiks-it, duke lënduar dy prej tyre fizikisht, kurse pjesa tjetër e stafit kanë mbetur të traumatizuar.
Sipas informacioneve të fundit, një person i dyshuar është paraqitur në Stacionin Policor në Ferizaj, ku e ka dorëzuar kamerën e Kiks Kosova.
Ai ka deklaruar se të njëjtën e ka gjetur, por Policia e ka ndaluar deri në sqarim të rrethanave.
Vlen të theksohet se ekipi, në momentin e sulmit, nuk ka qenë duke kryer xhirime.




