Ngushëllime dhe solidaritet, liderët evropianë dhe botërorë reagojnë pas sulmit në Krakov

Ngushëllime dhe solidaritet, liderët evropianë dhe botërorë reagojnë pas sulmit në Krakov

Ngushëllime dhe solidaritet, liderët evropianë dhe botërorë reagojnë pas sulmit në Krakov

Ngjarja tragjike në Krakov të Polonisë, ku gjashtë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën nga të shtënat me armë zjarri, ka nxitur reagime të shumta nga liderë evropianë dhe botërorë.

Sponsor 3M Express

Përfaqësues të Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Spanjës, Ukrainës, vendeve baltike, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë shprehur ngushëllimet e tyre për viktimat dhe familjet e tyre, duke dënuar dhunën dhe duke theksuar mbështetjen për popullin polak, transmeton Telegrafi.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha se lajmi për ngjarjen në Krakov e kishte tronditur thellë, duke theksuar se Gjermania qëndron pranë Polonisë në këtë moment të vështirë.

“Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre. Gjermania, si mike dhe partnere e Polonisë, qëndron pranë saj në këtë kohë të vështirë. Të gjithë të plagosurve u uroj shërim të shpejtë”, shkroi Merz.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, shprehu tronditjen për sulmin, duke përcjellë solidaritetin dhe ngushëllimet e tij për Poloninë, viktimat dhe familjarët e tyre.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, tha se ishte thellësisht e pikëlluar nga ajo që e cilësoi si një akt frikacak dhe të papranueshëm dhune.

Ajo theksoi se mendimet e saj dhe të qeverisë italiane janë me familjet e viktimave, të plagosurit dhe të gjithë popullin polak, duke shtuar se Italia do të vazhdojë të mbrojë sigurinë dhe lirinë nga çdo formë terrori dhe dhune.

Kryeministri britanik, Andy Burnham, deklaroi se ishte i tronditur dhe i pikëlluar nga ngjarja, ndërsa theksoi se Mbretëria e Bashkuar qëndron në solidaritet me popullin polak.

Ndërkaq, kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, shkroi se Spanja qëndron pranë Polonisë dhe viktimave, duke u uruar të plagosurve shërim sa më të shpejtë.

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit. Ai theksoi se Letonia qëndron në solidaritet me Poloninë dhe aleatët e saj.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mendimet e saj janë me të gjithë të prekurit nga sulmi, familjarët e tyre dhe banorët e Krakovit.

Ajo gjithashtu vlerësoi veprimet e policëve, të cilët, sipas saj, ndërhynë duke rrezikuar jetën e tyre.

“Evropa bashkohet me Poloninë në dhimbje dhe solidaritet”, shkroi von der Leyen.

Edhe shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që do të ndihet përtej kufijve të Polonisë.

“Fuqia e Polonisë qëndron te qëndrueshmëria e popullit të saj. Në këtë moment zie, Polonia nuk është e vetme”, deklaroi ajo.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, shprehu pikëllimin për sulmin në Sheshin Kryesor të Krakovit dhe uroi shërim të plotë për të plagosurit. Ajo falënderoi policinë dhe ekipet e emergjencës për ndërhyrjen e shpejtë dhe vendosjen e situatës nën kontroll.

Në shenjë zie, të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian kanë ulur flamujt në gjysmështizë.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, gjithashtu shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritetin e plotë me presidentin polak, Karol Nawrocki, dhe popullin e Polonisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi ngjarjen si një krim tronditës dhe tha se nuk ka asnjë justifikim për sulmin.

Në emër të popullit ukrainas dhe personalisht, ai shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, ndërsa uroi forcë dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.

“Ukraina shpreh solidaritetin me Poloninë dhe popullin polak. Njerëzit kanë të drejtë të jetojnë të sigurt”, theksoi Zelensky.

Ambasadori amerikan në Poloni, Tom Rose, deklaroi se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë Polonisë në këtë moment të errët, ashtu siç Polonia qëndron pranë qytetarëve të saj në Krakov.

Ngushëllime shprehu edhe presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, i cili tha se vendi i tij qëndron plotësisht në solidaritet me Poloninë dhe popullin e saj.

Ndërsa ministrja e Jashtme e Hungarisë, Anita Orbán, shprehu pikëllimin për sulmin, duke përcjellë ngushëllimet për familjet e viktimave dhe duke u uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

Reagimet e shumta ndërkombëtare kanë përcjellë një mesazh të përbashkët: Polonia nuk është e vetme përballë kësaj tragjedie. /Telegrafi/

Lexo edhe

Buxhet më i madh në Shëndetësi, por pacientët vazhdojnë të blejnë vet barna

Buxhet më i madh në Shëndetësi, por pacientët vazhdojnë të blejnë vet barna

Manchester United shpëton një pikë në fund, dramë me tetë gola ndaj Aston Villas

Manchester United shpëton një pikë në fund, dramë me tetë gola ndaj Aston Villas

Drama familjare e Neda Ballukut – nuk zbatohet vendimi për takimin me fëmijët, nisin hetimet ndaj përmbarueses

Drama familjare e Neda Ballukut – nuk zbatohet vendimi për takimin me fëmijët, nisin hetimet ndaj përmbarueses

Ngushëllime dhe solidaritet, liderët evropianë dhe botërorë reagojnë pas sulmit në Krakov | Momenti