Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është përballur me dëshmi të reja në gjykatën Southwark Crown Court në Londër, ku një grua ka rrëfyer momentet kur pretendon se ai e kishte kapur me forcë dhe kishte tentuar ta tërhiqte drejt një tualeti.

Gruaja, e cila në kohën e incidentit të pretenduar punonte në MTV, deklaroi para trupit gjykues se kishte mbetur e tronditur dhe e hutuar nga sjellja e aktorit.
Sipas BBC-së, ajo dëshmoi të premten, më 16 tetor, nga prapa një ekrani mbrojtës, në ditën e tretë të procesit gjyqësor ndaj Brand.
Ajo tha se incidenti i pretenduar kishte ndodhur në vitin 2001 dhe kishte zgjatur rreth 20 sekonda.
“Nga një person i sjellshëm dhe miqësor, ai u shndërrua papritur në një maniak me sy të zgurdulluar që po përpiqej të më tërhiqte në tualet”, deklaroi gruaja para gjykatës.
Sipas dëshmisë së saj, gjithçka kishte nisur me një bisedë miqësore, pasi ajo kishte komentuar bluzën që Brand mbante veshur.
Më pas, aktori e kishte pyetur për vendndodhjen e tualetit, ndërsa ajo ishte ofruar t’ia tregonte rrugën.
Por, sipas pretendimeve të gruas, sapo kishin arritur te dera e tualetit, sjellja e Brand kishte ndryshuar.
“Ai më kapi për parakrahu dhe filloi të më tërhiqte brenda. Ishte shumë i dhunshëm”, dëshmoi ajo.
Gruaja tha se kishte kundërshtuar dhe kishte arritur të çlirohej nga kapja e tij.
E pyetur pse nuk e kishte raportuar rastin menjëherë, ajo deklaroi se kishte pasur frikë se askush nuk do ta besonte.
Sipas saj, për ngjarjen u kishte treguar dy kolegëve, ndërsa denoncimin në Polici e kishte bërë në vitin 2023, pasi kishte parë një dokumentar televiziv për akuzat ndaj Brand.
Gjatë marrjes në pyetje, mbrojtja e aktorit e kundërshtoi dëshminë e saj, duke ngritur pikëpyetje për faktin se denoncimi ishte bërë 22 vjet pas incidentit të pretenduar.
Gruaja këmbënguli se veprimet që kishte përshkruar nuk kishin qenë me pëlqimin e saj.
Ndërkohë, para gjykatës dëshmoi edhe ish-bashkëbanuesi i Brand, Andrew Dobson, i cili e përshkroi komedianin si një person energjik, me ego të madhe dhe sjellje të paparashikueshme.
51-vjeçari Russell Brand përballet me shtatë akuza penale, përfshirë tri akuza për përdhunim, tri për sulm seksual dhe një për sulm të pahijshëm, që lidhen me pretendimet e gjashtë grave për ngjarje të periudhës 1999–2009.
Brand i ka mohuar të gjitha akuzat.
Procesi gjyqësor është duke vazhduar dhe fajësia e tij ende nuk është përcaktuar nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
The post “Nga i buzëqeshur u kthye në maniak” – Gruaja rrëfen në gjykatë momentet kur Russell Brand dyshohet se tentoi ta sulmonte seksualisht appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




