Në prag të festimeve të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, qyteti i Yonkers në shtetin e New Yorkut do të organizojë një ceremoni zyrtare të ngritjes së flamurit shqiptar, në nderim të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe trashëgimisë së tij kombëtare, shkruan Telegrafi.

Ceremonia do të mbahet të hënën, më 23 nëntor 2026, duke filluar nga ora 16:00 sipas kohës lokale, në hapësirën publike pranë ndërtesës së Bashkisë së Yonkers (Yonkers City Hall), në anën e South Broadway, përkatësisht në Washington Park – Middle Grounds.
Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të qytetit të Yonkers në Facebook, përmes së cilës kryetari i qytetit, Mike Spano, dhe autoritetet lokale kanë ftuar anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan të marrin pjesë në këtë ngjarje.
“Bashkohuni me kryetarin Mike Spano dhe anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan në ceremoninë e ngritjes së flamurit”, thuhet në ftesën e publikuar nga autoritetet e qytetit.
Në njoftimin zyrtar, të shoqëruar me flamurin kombëtar shqiptar, janë bërë të ditura edhe hollësitë e organizimit, duke u bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Yonkers dhe në zonat përreth të jenë pjesë e ceremonisë.
Ngjarja organizohet pesë ditë përpara 28 Nëntorit, datës që shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe që festohet nga komunitetet shqiptare në mbarë botën.
Ngritja e flamurit kuqezi në një hapësirë zyrtare të qytetit amerikan përbën një moment simbolik për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke nxjerrë në pah identitetin, kulturën dhe lidhjen e shqiptarëve të diasporës me vendin e origjinës.
Ceremonia synon gjithashtu të bashkojë anëtarët e komunitetit shqiptar rreth simbolit kombëtar, në prag të njërës prej festave më të rëndësishme për shqiptarët.
Të gjithë pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan që jetojnë në Yonkers, New York dhe rrethinë janë të ftuar t’i bashkohen ceremonisë së 23 nëntorit./Telegrafi/





