Shkruan: Ardiana Thaçi

Na fal, Dolora. Mëkati yt i vetëm është se erdhe në jetë nga ajo që duhej të ishte dashuri dhe linde në një vend e në një kohë të gabuar.
Dolora, ti nuk arrite as të shqiptoje një fjalë, as të kërkoje ndihmë. Nuk pate zë të thërrisje për ndihmë. Na fal, bebe, që erdhe në kohë të gabuar dhe në një shtet ku vrasja e grave dhe e fëmijëve është shndërruar në një shënim zyrtar në raportet e Policisë, spitaleve, Qendrave për Punë Sociale dhe organeve të ndjekjes.
Në një vend ku ministri përgjegjës për familjen nuk e tha as edhe një fjalë për vdekjen e një foshnjeje që, sipas raportimeve, humbi jetën nga duart e babait apo të gjyshit, nga pamëshira e njerëzve që duhej ta mbronin, apo nga dështimi i një shteti që nuk arriti të krijonte një sistem për të kuptuar në duart e kujt po e linte një jetë të pafajshme për t’u rritur.
Unë jam nanë, Dolora. Dhe Zoti më bekoi që tri herë të mbaja në duar fëmijë të moshës sate.
A e di, Dolora, se para 18 vjetësh, kur Diari ishte saktësisht në moshën tënde dhe unë e lashë për të dalë në punë, për muaj të tërë kam qarë gjatë gjithë rrugës nga shtëpia në punë? Sepse, edhe pse ai ishte me babanë e vet, unë nuk isha aty për t’i dhënë gji. Më dukej sikur po e braktisja, ndonëse e dija se ishte në duar të sigurta.
Nuk dua të them asnjë fjalë për nanën tënde, engjëll. Nuk i di rrethanat në të cilat të la në spital, as arsyet pse hoqi dorë nga ti. Nuk e di çfarë ka përjetuar ajo, prandaj nuk mund ta gjykoj. Nuk dua të gjykoj as babanë tënd, për të cilin thuhet se ka pasur probleme me ligjin dhe shëndetin mendor, as gjyshërit që ishin zotuar të të mbronin e të të rrisnin. As rrethanat e tjera që po përmenden, përfshirë pretendimet se gjyshi vrau babanë tënd për ty. Shumëçka mund të jetë spekulim dhe nuk dua ta ndërtoj dhimbjen tënde mbi pretendime të pakonfirmuara. Por kjo nuk do të thotë se mund t’i justifikoj. Të mos gjykosh pa i ditur faktet nuk do të thotë të mbyllësh sytë para përgjegjësisë. Sepse, në fund, ti ishe një fëmijë që kishe nevojë për mbrojtje. Dhe dikush duhej të sigurohej që ajo mbrojtje të mos të mungonte.
Por një gjë e di, Dolora: shteti kishte obligim të ta garantonte jetën.
Qendra për Punë Sociale nuk është një zyrë ku plotësohen formularë dhe mbyllen dosje. Është institucioni që duhet të shohë përtej dokumenteve, të vlerësojë rrezikun dhe të mos e lërë një fëmijë në duart e fatit.
Qendra për Punë Sociale, Dolora, duhej të ishte një nga mburojat e tua. Por çfarë kontrollon shteti para se t’ia besojë një fëmijë dikujt? A e vlerëson realisht aftësinë prindërore, gjendjen dhe rrethanat e personit që merr përsipër kujdesin për një foshnjë? A e monitoron këtë kujdes edhe pasi fëmija i besohet?
E di, Dolora, ka shumë burra e gra të mira që presin me vite për ta adoptuar një engjëll si ti. Përballen me procedura të gjata, dokumente, vlerësime dhe burokraci të pafundme, sepse shteti duhet të sigurohet se një fëmijë po i besohet një familjeje që mund ta rrisë dhe ta mbrojë. Dhe ashtu duhet të jetë. Por si shpjegohet që shteti mund të jetë kaq kërkues me ata që duan të të japin një shtëpi, ndërsa nuk arrin të garantojë se je e sigurt aty ku të ka besuar?
Sepse obligimi i shtetit nuk përfundon kur një fëmijë ia dorëzon prindit apo kujdestarit. Përgjegjësia e tij është ta mbrojë edhe nga rreziku që mund t’i vijë pikërisht prej atyre që, me ligj dhe me përgjegjësi, duhet të kujdesen për të.
A e di ti që ne kemi edhe Ministri të Familjes, zemër? Por ministri Andin Hoti nuk e nxori asnjë fjalë për ty. A e di pse? Sepse nuk është kohë fushate, zemër.
Kanë harruar se funksionimi i një shteti të së drejtës mbështetet në sisteme që duhet të funksionojnë edhe kur familja dështon. Sepse kur familja nuk arrin ta mbrojë një fëmijë, aty duhet të jetë shteti. Jo për të plotësuar formularë, jo për të hartuar raporte, por për ta mbrojtur jetën e tij. Këtë obligim e kishte shteti ndaj teje, Dolora.
As nga Presidenca nuk pati një reagim publik për vdekjen tënde, Dolora. Presidentja e Republikës, që përfaqëson unitetin e popullit, nuk gjeti asnjë fjalë për ty. Ndoshta është ndikuar nga kritikat se reagon vetëm kur ka vdekje, por për ty nuk reagoi as atëherë kur vdekja ishte bërë lajm. Asnjë rresht. Asnjë fjalë.
Ndërkohë, Kuvendi po vlon. Deputetët shtyhen për gjithçka, debatojnë për pushtet, për pozita, për interesa politike, por nuk po gjejnë kohë të ulen e të diskutojnë për atë që duhej të ishte urgjencë shtetërore: një strategji serioze për mbrojtjen e fëmijëve, për parandalimin e dhunës në familje, për shëndetin mendor dhe për përgjegjësinë institucionale kur jeta e një fëmije vihet në rrezik.
Sepse, Dolora, ti nuk ke nevojë për një minutë heshtje pas vdekjes. Ti kishe nevojë për një shtet që të mos të të linte të vdisje.
Prehu në paqe, engjëll.
E ne, të rriturit, do të vazhdojmë të jetojmë, ndoshta më shumë të mbijetojmë, në një vend ku fëmijët duhet të kenë frikë nga ata që duhej t’i mbronin.
Derisa shtetit t’i bjerë ndërmend se ka detyrim ta mbrojë jetën e qytetarëve të vet, e në veçanti të fëmijëve.
Ty, engjëll, NA FAL!




