Mural Fest Kosova do të hapë të martën, më 6 tetor 2026, ekspozitën “Copë-Copë”, në Galerinë e Arteve në Ferizaj.
Hapja e ekspozitës do të mbahet nga ora 18:00, ndërsa ekspozita sjell vepra të artistëve dhe dizajnerëve të rinj, të kuruara nga Fortunë Haziri dhe Petrit Hoxha.
Në kuadër të ekspozitës do të prezantohen pikturat e krijuara gjatë kolonisë, si dhe loja interaktive “Copë Copë”, përmes së cilës vizitorët do të kenë mundësi ta plotësojnë veprën së bashku, pjesë pas pjese.
Sipas organizatorëve, ideja e ekspozitës është që publiku të mos mbetet vetëm spektator, por të bëhet pjesë aktive e procesit artistik.
Ekspozita organizohet në kuadër të edicionit të 11-të të Mural Fest Kosova, i cili këtë vit mban temën “Me lujtë”. /Telegrafi/




