I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin për investimet e huaja dhe bashkëpunimin ekonomik, Kirill Dmitriev, shprehu publikisht mbështetjen e tij për qëndrimin e Trump, sipas të cilit Ukrainës i nevojitet një president i ri.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Dmitriev deklaroi se presidenti amerikan po bashkohet me ata që besojnë se Ukraina ka nevojë për një lidership të përkushtuar ndaj paqes dhe jo ndaj vazhdimit të konfliktit.

“Presidenti Trump bashkohet me shumë njerëz që besojnë se Ukrainës i duhet një lidership vërtet i përkushtuar ndaj paqes dhe jo politikave luftarake të Zelensky-t”, shkroi Dmitriev, duke i cilësuar deklaratat e Trump si “emblematike dhe historike”.
Reagimi erdhi pasi më herët gjatë ditës Donald Trump deklaroi se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka pasur mundësi të shumta për të arritur marrëveshje, por nuk ka mundur t’i çojë ato deri në fund.
“Zelensky mund të kishte arritur shumë marrëveshje, por për ndonjë arsye ai nuk i arrin kurrë”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan i bëri gjithashtu thirrje Kievit të ndalojë sulmet ndaj rafinerive dhe infrastrukturës energjetike ruse, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të vazhdimit të tyre.
“Më mirë të ndalet, dhe të ndalet tani”, deklaroi Trump.
Burimi: RTKLive




