Një histori që ka prekur mbarë opinionin publik vjen nga Prishtina ku po qëndronte për vizitë humanitare ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Vëllai i tij 87-vjeçar, Daut Krasniqi, ka pritur për ditë të tëra me bastun në dorë para banesës me shpresën për ta përqafuar edhe një herë, por rregullat e rrepta ia pamundësuan takimin.

Në një rrëfim tejet emocional për emisionin “Fiks Fare”, Dauti ka treguar dhimbjen e madhe që ndjeu teksa qëndronte vetëm pak metra larg vëllait të tij, i cili erdhi në Kosovë për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes, pasi u dënua javë më parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, jam Dauti, vëllai yt!”
Me zërin që i dridhej dhe me lot në sy, 87-vjeçari i është drejtuar vëllait me fjalë që thyejnë zemrën, duke kujtuar fëmijërinë dhe sakrificat e përbashkëta.
“Jakup, që tri ditë po vij te kjo derë. Tri ditë po pres me ta pa fytyrën, me ta ni zanin, me të përqafu. Kjo derë dikur hapej pa trokitë. Por sot, për me hi në shtëpinë tem, duhet me kërku leje. Thuaji atij që sot e quan veten zot të kësaj shtëpie se unë nuk jam i huej. Me ty kam pi të njëjtin gji të nanës, në të njëjtin djep jemi përkundë, bukën e kemi nda përgjysmë. Teshat e mia i ke veshë ti, e të tuat unë. Jam Dauti, Jakup. Vëllai yt!”, u shpreh ai.
Pse u largua pa e takuar? Telefonata e mbesës dhe përshëndetja me dorë nga larg
Pamjet e 87-vjeçarit duke u endur me bastun pranë banesës së Jakup Krasniqit bënë xhiron e rrjetit. Edhe pse kërkoi me ngulm ta shihte nga afër ish-zëdhënësin e UÇK-së, takimi nuk u realizua.
Siç bëhet e ditur, mbesa e tij e kishte telefonuar duke i shpjeguar se çdo afrim apo takim i paautorizuar mund të rrezikonte dhe të ndërpriste menjëherë vizitën humanitare të babait të saj. Për të mos i shkaktuar telashe vëllait, Dauti vendosi të tërhiqet, duke u mjaftuar vetëm me një përshëndetje të shkurtër me dorë nga larg.
“Kur isha te porta, përfytyrova flokët e tu, fytyrën dhe zanin që dikur më thërriste. Deshta veç me të kapë për qafe e me të thanë: ‘Qysh je, bre vëlla?’. Por u largova, me zemrën copë. Jo pse nuk deshta me të pa, por pse nuk deshta me të sjellë telashe. Due veç me të pa, me ta shtrëngue dorën, nuk due që vitet e fundit të jetës sime të kalojnë pa ta dhanë edhe një përqafim”, rrëfeu mes lotësh Daut Krasniqi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





