Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje për marrëveshje politike dhe unitet, duke thënë se Kosova nuk ka nevojë për trazira dhe përplasje.
Në një reagim, Lladrovci ka kritikuar vonesat politike, duke theksuar se ato nuk mund të përmirësohen brenda një dite.
“Kur thehet kerri, gjenden shumë rrugë. Vonesat e paarsyeshme, nga pozita e opozita, nuk përmirësohen për një ditë. Kosova nuk ka nevojë për trazira, hedhje të gazit lotsjellës e as për agresivitetin e njësive tona policore”, ka shkruar ai.
Lladrovci ka thënë se vendi ka nevojë për marrëveshje, duke e cilësuar politikën si një proces që kërkon fleksibilitet dhe paqe.
“Politika është sport i rëndë, por, fleksibil, paqësor dhe dashamirës për forcat që e duan atdheun e kombin”, ka deklaruar ai.
Ai ka bërë thirrje për unitet rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zbatimit të Kushtetutës dhe funksionimit të institucioneve.
“Domosdo të jemi unik, kudo përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Të jemi unik për zbatim të Kushtetutës, për institucione dhe afirmimin e arritjeve të shtetit”, ka shkruar Lladrovci.
Kryetari i Drenasit ka thënë se liderët duhet të dëshmojnë qëndrimin e tyre në situata të vështira.
“Liderët krijohen në situata të rënda. Dëshmoni kush ia do të mirën heronjve tanë të luftës dhe paqes, kush ia do të mirën Kosovës. Mos harroni, heronjtë, dëshmorët e martirët u flijuan për Kosovën”, ka theksuar ai.
Në fund, Lladrovci u ka bërë thirrje vendimmarrësve që të marrin vendime dhe të arrijnë marrëveshje, duke thënë se Kosova nuk duhet të lëndojë historinë dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti.
“Vendimmarrës, hapni sy e mbyllni vesh, merrni vendime. Kosova nuk gjunjëzohet, as dje, as sot e as mot! Merruni vesh o hapni krah, mos e lëndoni historinë e shtetit as vlerat mbi të cilat u ndërtua!”, ka përfunduar Lladrovci. /Telegrafi/




