Katër vjet pas një prej akteve më të bujshme të sabotimit në historinë moderne të Evropës, në Hamburg të Gjermanisë ka nisur procesi gjyqësor ndaj një shtetasi ukrainas, i cili akuzohet për përfshirje në shpërthimet që dëmtuan gazsjellësit Nord Stream, përmes të cilëve Rusia furnizonte Gjermaninë me gaz.
I dyshuari, i identifikuar nga prokuroria gjermane si Serhii K., akuzohet se, së bashku me pjesëtarë të tjerë të ushtrisë ukrainase, kishte organizuar shkatërrimin e gazsjellësve me qëllim që Rusia të mos vazhdonte të financonte luftën përmes të ardhurave nga gazi, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Ai është i dyshuari i parë që përballet me gjyqin për këtë rast. Serhii K., i cili u ekstradua në Gjermani në fund të vitit të kaluar, i mohon akuzat. Një tjetër shtetas ukrainas, i dyshuar për përfshirje në sabotim, gjithashtu i ka mohuar akuzat dhe po përballet me procedurat e ekstradimit nga Kroacia.
Rasti konsiderohet veçanërisht i ndjeshëm për Gjermaninë, e cila që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës në shkurt të vitit 2022 është shndërruar në një nga aleatët kryesorë të Kievit. Shpërthimet ndodhën rreth shtatë muaj pas fillimit të pushtimit rus.
Më 26 shtator 2022, shpërthimet nënujore në Detin Baltik, pranë ishullit Bornholm, dëmtuan tre nga katër tubacionet e gazsjellësve Nord Stream.
Në muajt e parë pas incidentit, dyshimet në Perëndim u drejtuan kryesisht nga Rusia, pa u përcaktuar zyrtarisht përgjegjësia për sulmin. Në atë kohë, Moska kishte ndërprerë tashmë furnizimin me gaz përmes Nord Stream 1, ndërsa Nord Stream 2 nuk ishte vënë asnjëherë në funksion. Berlini e kishte pezulluar projektin disa miliardë eurosh pak para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, kishte akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre britanikë për organizimin e shpërthimeve, duke fajësuar atë që e quajti “anglo-saksonët”. Uashingtoni dhe Londra i kishin mohuar këto akuza.
Pas hetimeve të zhvilluara nga Suedia, Danimarka dhe Gjermania, prokurorët gjermanë u përqendruan te një grup zhytësish profesionistë, të cilët dyshohet se kishin përdorur një jaht të quajtur Andromeda, të marrë me qira në portin gjerman të Rostockut.
Hetuesit deklaruan se në mostrat e marra nga anija ishin gjetur gjurmë të eksplozivëve nënujorë.
Prokuroria gjermane dyshon për përfshirje të institucioneve ukrainase
Sipas aktakuzës gjermane, Serhii K. ishte oficer në ushtrinë ukrainase në vitin 2022 dhe drejtonte një grup ku përfshiheshin zhytës profesionistë, një kapiten anijeje dhe një ekspert i eksplozivëve.
Prokurorët pretendojnë se grupi e kishte organizuar sabotimin me urdhër të institucioneve shtetërore ukrainase. Ata e trajtojnë rastin edhe në kuadër të dispozitave të Gjermanisë për krimet sipas së drejtës ndërkombëtare, duke e cilësuar sulmin e dyshuar ndaj gazsjellësve si krim lufte, pasi objektivat ishin infrastrukturë civile.
Në janar të vitit 2025, Gjykata Federale e Drejtësisë në Gjermani vendosi se çështja hynte në juridiksionin territorial gjerman dhe se prokuroria kishte përgjegjësi të vazhdonte hetimet, pasi rasti lidhej me cenimin e sigurisë së brendshme të vendit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mohuar vazhdimisht se Ukraina kishte lidhje me shpërthimet e Nord Stream.
Megjithatë, çështja ka nxitur debat në Ukrainë dhe Gjermani lidhur me përgjegjësinë për sabotimin dhe pasojat e mundshme për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Serhii K. u arrestua në gusht të vitit 2025, pasi ishte regjistruar në një hotel pranë qytetit bregdetar Rimini, në Itali. Arrestimi u krye në bazë të një urdhër-arresti evropian të lëshuar nga autoritetet gjermane.
Pas disa javësh procedurash gjyqësore për kundërshtimin e ekstradimit, ai u transferua në Gjermani në fund të vitit 2025. Në dokumentet gjyqësore, ai identifikohet si Serhii Kuznetsov.
Ndërkohë, një tjetër shtetas ukrainas, Volodymyr Zhuravlov, kishte arritur të kundërshtonte me sukses kërkesën gjermane për ekstradim në Poloni. Në tetor të vitit 2025, një gjykatë në Varshavë urdhëroi lirimin e tij, duke argumentuar se sulmi ndaj gazsjellësve nuk ishte i paligjshëm dhe se, nëse Ukraina kishte organizuar një operacion ushtarak, ai mund të konsiderohej i justifikuar në rrethanat e luftës.
Megjithatë, Zhuravlov u arrestua më vonë në Kroaci, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në zhytjet e nevojshme për realizimin e sabotimit. Muajin e kaluar, autoritetet kroate miratuan ekstradimin e tij, por ende nuk është e qartë se kur do të transferohet në Gjermani dhe nëse çështja e tij do të përfshihet në procesin gjyqësor në Hamburg.
Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, deputeti ukrainas Merezhko nuk pret që çështja të dëmtojë seriozisht marrëdhëniet mes Kievit dhe Berlinit. Sipas tij, mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë ndaj Ukrainës mbetet në interesin kombëtar të vetë Gjermanisë.
Burimi: Dukagjini




