Një aksion i madh policor, i nisur në orën 18:00 në tri qytete të vendit – Suharekë, Prizren dhe Dragash, tashmë ka përfunduar me disa të arrestuar.

Aksioni u zhvillua kundër lojërave të fatit, teksa mësohet se janë bastisur 20 lokacione në këto tri qytete.
Sipas gazetares së Klan Kosova, Vesa Hoda, janë dhjetëra të arrestuar për bixhoz të paligjshëm nga ky mega-aksion, që u zhvillua nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Prizrenit, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të këtij qyteti.
“Aksioni që ka filluar nga ora 18:00 në Suharekë, Prizren dhe Dragash, ka përfunduar para pak minutash. Ky mega aksion është zhvilluar në 20 lokacione në këto tre qytete. Në Suharekë, në shesh, në dy-tre vende ka pasur aksione ku kanë zbarkuar dhjetëra forca policore. Nga zyrtarët policorë, u mësua se krejt aksioni u organizua me Drejtorinë Rajonale të Policisë së Prizrenit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale në atë qytet”.
“Informacionet që i kemi thonë se përpos që janë bastisur 20 lokacione, nga to ka pasur dhjetëra të arrestuar që tashmë në kohën e raportimit, ata janë duke u intervistuar, dhe kuptuam se rastet do të trajtohen veç-e-veç”, deklaroi Hoda.
Sipas saj, “aksioni ka të bëjë kundër lojërave të fatit, të cilat në vendin tonë janë të paligjshme. Në lokacionet e bastisura janë sekuestruar pajisje që mundësojnë të zhvillojnë këto lojëra të fatit, por përveç tyre janë sekuestruar edhe armë e municion”.
Gazetarja e Klan Kosova theksoi se aksioni ka përfunduar para pak minutash, ndërsa nga Prokuroria thanë se për detaje, opinioni do të informohet me kohë. /Klankosova.tv




