“Skuadër që duhet ndërtuar nga e para, pa yje dhe pa lojë. Juventusi, një thes bosh – Spalletti tashmë ka frikë nga kundërshtarët”, janë disa nga titujt që pasqyrojnë krizën e skuadrës bardhezi.
Juventusi renditet aktualisht në vendin e tetë, ndërsa humbja ndaj Lazios ka shtuar pikëpyetjet për të ardhmen e trajnerit Luciano Spalletti.

Sipas mediave italiane, skuadra nuk po arrin të prodhojë lojë bindëse, i mungojnë idetë dhe nuk ka futbollistë që bëjnë diferencën në momentet vendimtare.
Kritikat nuk janë drejtuar vetëm ndaj lojtarëve dhe trajnerit, por edhe ndaj atyre që kanë ndërtuar ekipin. Juventusi ka grumbulluar disa futbollistë me tipare të ngjashme në krahë, si Francisco Conceicao, Kerim Alajbegovic, Edon Zhegrova dhe Nico Gonzalez, por sipas kritikëve, skuadrës i mungojnë një qendërsulmues i nivelit të lartë dhe një organizator i mirëfilltë i lojës.
Humbja ndaj Lazios ka nxjerrë sërish në pah dobësitë e “Zonjës së Vjetër”, ndërsa asnjë prej lojtarëve që u aktivizuan nuk ka shpëtuar nga kritikat. Mungesa e Kenan Yildizit nuk konsiderohet një arsyetim i mjaftueshëm për paraqitjen e dobët.
Edhe Spalletti, i cili më parë vlerësohej për aftësinë për të gjetur zgjidhje taktike dhe për guximin në vendimmarrje, po përballet me kritika gjithnjë e më të mëdha. Sipas mediave italiane, trajneri duket se ka humbur një pjesë të besimit në aftësinë e skuadrës për t’u përballur me kundërshtarët.
Madje, në këtë pikë të kampionatit, Juventusi ka më pak pikë sesa në periudhën përkatëse nën drejtimin e Thiago Mottës, i cili kishte grumbulluar 13 pikë, dy më shumë se skuadra aktuale.
Pas ndeshjes me Lazion, vetë Spalletti la të kuptohet se nuk është më plotësisht i bindur për mbështetjen e lojtarëve.
“Deri dje thosha ‘po’, por tani nuk e di”, u shpreh trajneri kur u pyet nëse skuadra ishte ende në anën e tij.
Kjo deklaratë ka shtuar shqetësimet rreth gjendjes së Juventusit, i cili duhet të reagojë sa më shpejt për të shmangur një krizë edhe më të thellë.
Burimi: RTKLive




