Përzgjedhësi i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka folur me emocione të mëdha për trashëgiminë e Lionel Messit, pas lamtumirës së kapitenit legjendar nga kombëtarja, ndërsa ka treguar edhe se si do të duket skuadra pas epokës së tij.
Scaloni ka pranuar se asnjëherë nuk e kishte imagjinuar se do të kishte mundësinë ta drejtonte Messin, të cilin e konsideron futbollistin më të mirë në histori.
“Asnjëherë në jetën time nuk e kam imagjinuar se do ta trajnoja atë, futbollistin më të mirë në histori. Të stërvitje Messin ishte një ëndërr e bërë realitet. Jam mirënjohës për mundësinë që pata të jem me të dhe do të jetë e dhimbshme të mos e shoh më. Lotët vijnë sepse në mendjen time po kalojnë shumë gjëra”, deklaroi Scaloni.
“Ai na lë një trashëgimi të jashtëzakonshme. Kjo histori do të vazhdojë, por ai është i pazëvendësueshëm. Tani duhet të vazhdojmë pa të. Do të jetë e vështirë, sepse ajo që kemi përjetuar gjatë këtyre viteve nuk është diçka normale”, tha 48-vjeçari.
Scaloni beson se Argjentina ka lojtarë të rinj me potencial, por theksoi se askush nuk mund të bëjë atë që bënte Messi në fushë.
“Jemi të aftë ta përballojmë këtë situatë dhe kemi disa lojtarë të rinj shumë të mirë. Kam luajtur me futbollistë të mëdhenj dhe kam parë shumë prej tyre, por atë që ai sjell në lojë nuk e kam parë te askush tjetër. Ai është i pakrahasueshëm, një alien. Më i miri i të gjitha kohërave është larguar”, shtoi Scaloni.
Përzgjedhësi zbuloi gjithashtu se lamtumira e Messit kishte prekur emocionalisht të gjithë grupin, pasi bashkëlojtarët e tij dëshironin që ai ta mbyllte aventurën me kombëtaren në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Bashkëlojtarët e mi ishin nervozë sot. Ata donin që Leo të largohej në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë, edhe lojtarët më të mëdhenj, e shohin atë në të njëjtën mënyrë dhe donin që gjithçka të shkonte mirë. Të gjithë kanë folur me të që nga e diela, kështu që nuk ishte e lehtë për askënd”, tregoi ai.
“Kanë ardhur lojtarë të rinj, të cilët sjellin një këndvështrim të ri dhe na mundësojnë të luajmë më shumë në krahë, diçka që nuk e kishim më parë. Po përpiqemi t’i integrojmë dhe të shohim se si kombinohen me njëri-tjetrin. Të gjithë duhet të japin kontributin e tyre”, u shpreh Scaloni.
“E vetmja mënyrë për ta kompensuar mungesën e Messit do të jetë të luajmë mirë si ekip. Për momentin nuk kemi atë lojtar që mund të bëjë ndryshimin, që mund ta ndryshojë rrjedhën e një ndeshjeje në një çast, që mund ta përmbysë gjithçka në një ditë të keqe me një moment magjie”, tha ai.
“Ka disa lojtarë shumë të mirë, por asnjë si ai. Nuk do të ketë kurrë një tjetër lojtar si Messi. Duhet të jemi mirënjohës për gjithçka që na dha”.
“Nëse gjithçka shkon mirë, do të vazhdoj si trajner, por është e pabesueshme të shohësh një tjetër lojtar si ai, i cili në moshën 39-vjeçare lë pas një trashëgimi kaq të jashtëzakonshme. Ai e meritonte këtë, një natë të tillë”, përfundoi Scaloni./Telegrafi/




