Një qendër humanitare në Bronx të New Yorkut, e cila për vite me radhë ka ndihmuar mijëra persona në nevojë, ka ndërprerë aktivitetin pas ndalimit të themeluesit të saj, shqiptaro-amerikanit Aleksander Nilaj, nga autoritetet amerikane të emigracionit (ICE).

Sipas raportimit të mediumit amerikan NBC New York, organizata Albanian American Open Hand Association ofronte ndihmë ushqimore për mijëra persona çdo muaj, duke u bërë një pikë e rëndësishme mbështetjeje për familjet në vështirësi ekonomike, shkruan Telegrafi.
Nilaj, i cili qëndronte pas kësaj nisme humanitare, u ndalua nga autoritetet e emigracionit, ndërsa pas zhvillimit të këtij rasti organizata u përball me ndërprerjen e veprimtarisë së saj.
Raportohet se qendra shpërndante ushqime për rreth 7 mijë deri në 8 mijë persona në muaj, duke ndihmuar familje me të ardhura të ulëta dhe individë që kishin nevojë për mbështetje të vazhdueshme.
Rasti ka nxitur shqetësim në komunitetin shqiptaro-amerikan, për shkak të ndikimit që ndërprerja e aktivitetit të organizatës mund të ketë te personat që mbështeteshin në shërbimet e saj.
Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te roli i organizatave humanitare të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, të cilat përmes nismave vullnetare kontribuojnë në ndihmën ndaj komuniteteve në nevojë./Telegrafi/




