Forcat ukrainase kanë kryer një sulm masiv ndaj caqeve brenda Rusisë, duke goditur objektiva në pjesë të ndryshme të vendit, përfshirë edhe rrethinat e Moskës. Sipas zyrtarëve në Kremlin, gjatë kësaj vale sulmesh, mbrojtja ajrore ruse ka ndaluar më shumë se 1 mijë e 300 fluturake ukrainase pa pilot, por qindra të tjera kanë arritur deri te caqet e tyre, duke shkaktuar dëme në pika të rëndësishme ushtarake dhe industriale.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, deklaroi se më shumë se 600 fluturake ukrainase sulmuan caqe vetëm në rajonin e kryeqytetit rus. Sipas tij, mbrojtja ajrore ndaloi 191 prej tyre, që nënkupton se rreth 400 fluturake ukrainase pa pilot kanë arritur në caqet e tyre në rajonin e Moskës.

Gjithashtu, është njoftuar se Ukraina ka goditur caqe në Krime, në rajonin e Krasnodarit, në rajonin e Rostovit, si dhe në pjesë të tjera të vendit ku gjenden rafineritë dhe depot e naftës.
Shkalla dhe intensiteti i sulmeve ukrainase brenda Rusisë janë rritur dukshëm gjatë javëve të fundit. Kjo duket se është shenjë e rritjes së aftësive të Kievit për të goditur brenda territorit rus, ndërsa mbrojtja ajrore e Rusisë po dëshmohet gjithnjë e më pak efikase.
Edhe pse Moska nuk publikon detaje rreth humbjeve dhe goditjeve brenda bazave ushtarake, dëmet ndaj industrisë ruse të naftës dhe gazit janë më se të dukshme. Disa burime brenda Rusisë u kanë thënë mediave se Ukraina ka shkatërruar mbi 40 për qind të kapacitetit rus të përpunimit të naftës, ndërsa në shumë rajone po raportohet për mungesë të plotë të derivateve të naftës dhe gazit. Ndërkohë, nga Rusia paralajmërohet për përkeqësim të mëtejmë të situatës me ardhjen e dimrit.
Burimi: RTKLive





