Mbledhja e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), e planifikuar të nisë në orën 10:00, ka filluar me 32 minuta vonesë.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës janë rekomandimet për ripërtëritjen e licencave të Radio Club FM dhe Radio Helix, si dhe kërkesat për ndryshime të pronësisë në Kosova MTV dhe Turbo Channel, si dhe në Kanal 10 dhe Radio 10, raporton RTKlive.
Në kuadër të çështjeve të licencimit, KPM-ja do të shqyrtojë edhe rekomandimet për harmonizimin e formatit të programit të Radio 7, Radio 7 Kosova dhe Radio Ferizaj, si dhe kërkesën për ndryshimin e lokacionit të Radio Okarinës. Në rend dite është përfshirë edhe një kërkesë për lejimin e transmetimit eksperimental.
Një pjesë e mbledhjes do t’u kushtohet rasteve ligjore që lidhen me respektimin e kushteve dhe rregulloreve të KPM-së. Në mesin e tyre janë rastet e A2CNN Kosova dhe Kristal TV, si dhe ankesat e Radio Dukagjinit dhe Radio Fontanës ndaj Radio Klan Kosova FM-Deçan.
Komisioni do të trajtojë edhe rastet e disa mediave për mospagesën e tarifës së licencës. Në këtë listë përfshihen TV Zoom, ISP Broadcast, Klina TV, Opentel, TV Arta, Radio 24, TV Koha Vision, TV Liria, Radio Dukagjini, Radio Energji, Radio Kent FM 2, Radio Shqip FM, Rahovec Chanel, TV Opinion, TV Prizren, TV Vali dhe TVR.
Sipas agjendës, gjatë mbledhjes do të shqyrtohen edhe çështje të tjera, përfshirë raportin e auditimit të performancës dhe caktimin e datës së mbledhjes së radhës.




