Rusia është përballur me një valë masive sulmesh me dronë gjatë natës mes së shtunës dhe së dielës, ku në shënjestër kanë qenë disa rajone të vendit, përfshirë qytetin e Shën Petersburgut.

Sulmet ukrainase kanë shkaktuar zjarre në terminalin e naftës në Shën Petersburg dhe në depon e naftës Ruchi, ndërsa të paktën një person ka humbur jetën dhe pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas guvernatorit të Shën Petersburgut, Alexander Beglov, zjarre janë regjistruar edhe në disa objekte industriale, ndërsa ekipet emergjente janë angazhuar për vënien e situatës nën kontroll.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar gjithsej 1,015 dronë ukrainas në disa rajone të Rusisë, si dhe mbi Krime dhe Detin e Zi.
Nga sulmet është goditur edhe një qendër logjistike e kompanisë ruse Ozon, si dhe një qendër e të dhënave e kompanisë teknologjike VK.
Ndërkohë, sulmet kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për mijëra banorë dhe pengesa në trafikun ajror në Shën Petersburg.
Kjo valë sulmesh vjen në një kohë kur tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdojnë të përshkallëzohen, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Rusinë se gjatë javës së fundit ka kryer 76 sulme ndaj sektorit energjetik ukrainas, duke kërkuar shtimin e presionit ndërkombëtar ndaj Moskës.
Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar sulmet ukrainase ndaj objekteve ruse të naftës, ndërsa mbetet e paqartë nëse Uashingtoni do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë.
The post Mbi 1 mijë dronë sulmojnë Rusinë, shpërthejnë zjarre të mëdha në Shën Petersburg – një i vdekur dhe pesë të plagosur appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




