Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka shpallur Konkurs të ri për ndarjen e 3.000 bursave studentore për vitin akademik 2026/2027.

Nga MASH-i njoftojnë se ndarja e bursave do të bëhet me modelin e ri, që ndryshon nga ai i viteve të kaluara.
“Ky model njëkohësisht njeh cenueshmërinë sociale, vlerëson suksesin akademik dhe nxit arsimimin e kuadrove në fusha me rëndësi strategjike për shtetin. Në kuadër të kategorisë prej 1.200 bursash për mbështetje sociale, për herë të parë parashikohen bursa të veçanta për studentët me aftësi të kufizuara dhe studentët me sëmundje të rralla, me nga 50 bursa për secilën kategori.
Me këtë, Ministria ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt arsimit më gjithëpërfshirës dhe krijimit të mundësive të barabarta për studentët, duke njohur nevojat e tyre specifike dhe duke mbështetur të drejtën e tyre për arsimim dhe zhvillim akademik.
Njëkohësisht, po krijohet një kategori e re prej 1.050 bursash strategjike, të dedikuara për studentët që arsimohen në fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin e ardhshëm të shtetit.
Përzgjedhja e programeve studimore është përcaktuar me Vendimin nr. 1410-183, të datës 3 nëntor 2026, të Këshillit Nacional për Arsim të Lartë dhe Veprimtari Kërkimore-Shkencore, me të cilin janë përcaktuar programet studimore me interes strategjik për shtetin. Bëhet fjalë për programet studimore në matematikë, fizikë, kimi, bujqësi, pylltari, biologji për mësimdhënie dhe xehetari. Qëllimi është që të rinjtë të nxiten të përcaktohen për këto fusha dhe të krijohen kuadro profesionale që do t’u përgjigjen nevojave të shoqërisë dhe ekonomisë”, informon Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Përveç kësaj, po prezantohen 750 bursa për studentët që arrijnë sukses të lartë akademik, përkatësisht kanë një notë mesatare prej të paktën 8.50 dhe që përmbushin vazhdimisht detyrimet e tyre akademike.
“Në këtë mënyrë, Ministria vlerëson më tej dijen, përkushtimin dhe punën e studentëve që arrijnë rezultate të veçanta gjatë studimeve. Një veçori e rëndësishme e modelit të ri është se, pavarësisht futjes së kategorive të reja dhe rishpërndarjes së mjeteve financiare, numri i përgjithshëm i bursave mbetet i pandryshuar – 3.000. Ndryshimi nuk qëndron në zvogëlimin e mbështetjes, por në orientimin më të mirë të saj dhe në njohjen më të gjerë të nevojave dhe potencialeve të studentëve”, thekson MASH në kumtesë.
Për bursat strategjike, shuma mujore është 18.000 denarë, ndërsa për bursat sociale dhe bursat për sukses të lartë akademik, 6.050 denarë. Bursat paguhen gjatë nëntë muajve të vitit akademik.
Aplikimi bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike, përmes portalit e-uslugi.mon.gov.mk , në periudhën nga 6 deri më 20 nëntor 2026.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës thekson se me këtë konkurs vendoset baza për një sistem më modern dhe më të orientuar të bursave studentore, i cili ofron mbështetje për ata që kanë më së shumti nevojë, njeh dhe shpërblen arritjet akademike, si dhe investon në njohuritë dhe kompetencat që do të jenë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit.
MASH-i njofton se është në vijim edhe aplikimi për Konkursin për ndarjen e 15 bursave për studentët e regjistruar në vitin e parë të programeve studimore në gjuhën maqedonase, për vitin akademik 2026/2027, i shpallur në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhës maqedonase.
Më shumë informacion rreth këtij konkursi mund të gjeni në linkun: https://mon.gov.mk/mk-MK/konkursi-i-stipendii/stip…
Gjithashtu, në vijim është edhe aplikimi për Konkursin për rimbursimin e fondeve për instrumentet muzikore të blera për vitin akademik 2026/2027.




