LVV-ja akuzon për mungesë të ngrohjes në shkolla, DKA-ja në Dragash pranon probleme në dy institucione

LVV-ja akuzon për mungesë të ngrohjes në shkolla, DKA-ja në Dragash pranon probleme në dy institucione

LVV-ja akuzon për mungesë të ngrohjes në shkolla, DKA-ja në Dragash pranon probleme në dy institucione

Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Sharr ka ngritur shqetësimin për mungesën e ngrohjes në disa shkolla të Komunës së Dragashit, duke kërkuar përgjegjësi nga kryetari i komunës dhe drejtoritë përkatëse.

Sponsor 3M Express

Përmes një postimi në Facebook, kjo parti ka kritikuar kryetarin e komunës për udhëtimin në Sicili të Italisë, në kohën kur, sipas saj, nxënësit po përballen me mungesë të ngrohjes në shkolla.

LVV-ja ka pretenduar se, pavarësisht kontratës trevjeçare për furnizimin me pelet, në vlerë prej 37 mijë e 26 eurosh, si dhe furnizimit me dru, nxënësit vazhdojnë të mësojnë në klasa të ftohta.

Sipas postimit, për vitin 2026 janë paraparë 55 tonë pelet, por partia ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si po menaxhohet furnizimi dhe sigurimi i ngrohjes në institucionet arsimore.

“Nxënësit nuk duhet të jenë viktima të neglizhencës institucionale. Ata meritojnë klasa të ngrohta dhe kushte dinjitoze për mësim”, thuhet në reagimin e LVV-së.

Kjo parti ka kërkuar nga kryetari i komunës dhe drejtoritë përgjegjëse të sqarojnë arsyet për mungesën e ngrohjes, duke e lidhur kritikën edhe me udhëtimin e kryetarit në Sicili.

Pas këtyre pretendimeve, ka reaguar Drejtoria Komunale e Arsimit në Dragash, e cila ka kundërshtuar paraqitjen e situatës si problem të përgjithshëm në shkollat e komunës.

Në një sqarim publik, DKA-ja ka bërë të ditur se procesi mësimor po zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat dhe se nuk qëndrojnë pretendimet për mungesë të përgjithshme të ngrohjes apo ndërprerje të mësimit për shkak të mungesës së peletit, raporton Telegrafi.

Megjithatë, drejtoria ka pranuar se në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Sezai Surroi” në Bellobrad është paraqitur një defekt teknik në kaldajën e ngrohjes.

Sipas DKA-së, përkundër këtij problemi, ngrohja e hapësirave mësimore është siguruar përmes mënyrave alternative, duke mundësuar vazhdimin e mësimit pa ndërprerje dhe pa humbje të orëve mësimore.

Po ashtu, drejtoria ka konfirmuar se në çerdhen pranë shkollës në Dragash, përkatësisht në ciklin për fëmijët e moshës 3–5 vjeç, procesi edukativo-arsimor është ndërprerë për dy ditë për shkak të vonesës në furnizimin me pelet.

“Drejtoria Komunale e Arsimit nuk e mohon këtë fakt, por thekson se bëhet fjalë për një rast konkret dhe të kufizuar, i cili nuk mund të përgjithësohet si gjendje e të gjitha institucioneve arsimore të komunës”, thuhet në sqarim.

Sa i përket furnizimit me lëndë djegëse, DKA-ja ka bërë të ditur se tashmë është pranuar pjesa e parë e furnizimit me pelet, e cila, sipas saj, është e mjaftueshme për të siguruar vazhdimësinë e procesit mësimor.

Drejtoria ka pohuar gjithashtu se deri në vitin e ardhshëm të gjitha shkollat e komunës janë të furnizuara me sasi të mjaftueshme të lëndëve djegëse, përfshirë drutë, peletin dhe naftën për ngrohje.

Në reagimin e saj, DKA-ja ka kritikuar mënyrën se si subjektet politike, përkatësisht degët e LVV-së dhe PDK-së në Dragash, e kanë trajtuar këtë çështje, duke kërkuar që pretendimet publike të mbështeten në informacione të verifikuara.

“Është e drejtë e çdo subjekti politik të kërkojë llogaridhënie nga institucionet dhe të ngrejë shqetësime për kushtet në shkolla. Megjithatë, kritika duhet të mbështetet në fakte dhe informacione të verifikuara, e jo në përgjithësime dhe interpretime që krijojnë perceptim të gabuar te qytetarët”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.

Drejtoria ka përmendur edhe transportin falas për nxënësit, për të cilin thotë se po mundësohet për të tretin vit radhazi nga qeverisja aktuale, duke e cilësuar si lehtësim për fëmijët dhe familjet e tyre.

Në fund, DKA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar për sigurimin e kushteve të përshtatshme në institucionet arsimore dhe se problemet teknike do të trajtohen me prioritet.

Megjithatë, nga dy postimet rezulton se ekzistojnë dy çështje konkrete që kërkojnë sqarim të mëtejshëm: defekti në kaldajën e shkollës në Bellobrad dhe ndërprerja dyditore e procesit edukativo-arsimor në çerdhen në Dragash. Ndërsa DKA-ja mohon mungesën e përgjithshme të ngrohjes në shkolla, LVV-ja ka ngritur shqetësimin për kushtet në disa institucione arsimore. /Telegrafi/

Lexo edhe

Kërkohet paraburgim ndaj Valon Currit, dyshohet se shiti mbi 110 armë dhe inskenoi vjedhjen në Gjakovë

Kërkohet paraburgim ndaj Valon Currit, dyshohet se shiti mbi 110 armë dhe inskenoi vjedhjen në Gjakovë

Mike Johnson largohet nga udhëheqja e republikanëve në Kongresin amerikan

Mike Johnson largohet nga udhëheqja e republikanëve në Kongresin amerikan

Nga Kosova në Dubai: A është investimi në prona më i arritshëm sesa mendoni?

Nga Kosova në Dubai: A është investimi në prona më i arritshëm sesa mendoni?

LVV-ja akuzon për mungesë të ngrohjes në shkolla, DKA-ja në Dragash pranon probleme në dy institucione | Momenti