Avokati Besnik R. Berisha ka reaguar sërish pas lirimit të Hashim Miftarit, qytetarit që u ndalua për 48 orë pasi lopa e tij kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë. Këtë herë, Berisha ka falënderuar të gjithë ata që reaguan ndaj rastit, duke paralajmëruar se shqetësimi më i madh nuk është vetëm ndalimi i një qytetari, por fakti që liria e tij u shndërrua në çështje të mobilizimit publik, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti, të cilin Sinjali e bëri publik të shtunën, nxiti reagime të shumta për ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e ndalimit. Miftari u lirua më pas në procedurë të rregullt, vendim që u konfirmua zyrtarisht nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Në reagimin e tij të ri, Berisha ka theksuar se lirimi i qytetarit është lajm i mirë, por mënyra se si rasti mori vëmendje publike duhet të shërbejë si paralajmërim për institucionet.
“Një bari u lirua dje. Por ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve është se liria e një qytetari u bë çështje e mobilizimit publik!”, ka shkruar ai.
Sipas Berishës, rasti dëshmon rëndësinë e medias së lirë, profesionistëve dhe qytetarëve në kundërshtimin e vendimeve që konsiderohen arbitrare.
Ai ka vlerësuar rolin e raportimit të Sinjalit në hapjen e debatit publik, duke theksuar se angazhimi qytetar nuk duhet të përfundojë me lirimin e një personi.
“Arbitrariteti merr guxim aty ku shoqëria hesht, ndërsa padrejtësia gjen hapësirë sa herë që pushteti mbetet pa kontroll e pa kundërshtim”, ka deklaruar Berisha.
Avokati ka nënvizuar se kritika ndaj vendimeve të institucioneve të drejtësisë nuk përbën sulm ndaj drejtësisë, por, sipas tij, është pjesë e përgjegjësisë për ta mbrojtur atë.
“Si avokat, kam besuar gjithmonë se drejtësisë nuk i shërbejmë duke ia heshtur gabimet. Besnikëria ndaj drejtësisë kërkon guximin për t’i kundërshtuar vendimet e padrejta, për t’i kërkuar llogari autoritetit dhe për t’ia kujtuar çdo institucioni se pushteti nuk është privilegj mbi qytetarin, por përgjegjësi ndaj tij”, ka shkruar ai.
“Diskrecioni nuk është licencë për arbitraritet. Autoriteti nuk është imunitet ndaj kritikës”, është një tjetër mesazh i tij.
Berisha ka shtuar se nuk pret që një reagim publik t’i zgjidhë problemet e sistemit të drejtësisë, por beson se kundërshtimi i çdo padrejtësie ndihmon në ndërtimin e një kulture më të fortë të përgjegjësisë institucionale.
Në fund, ai ka përcjellë një mesazh për mbrojtjen e qytetarëve të zakonshëm përballë pushtetit.
“Me gëzon lirimi i djeshëm. Megjithatë, do të më gëzonte shumë më tepër një realitet ku asnjë qytetar nuk do të kishte nevojë të bëhej lajm për t’iu respektuar liria”, ka shkruar Berisha.
Reagimin e ka përmbyllur me fjalët:
“Liria e një bariu nuk duhet të varet nga zëri ynë. Por, për sa kohë një qytetar rrezikon të mbetet pa zë përballë pushtetit, heshtja jonë nuk mund të jetë zgjedhje!”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





