Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar për një arritje të rëndësishme në shëndetësinë publike, pasi sot në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë është realizuar lindja e parë e një pacienteje që kishte arritur shtatzëninë përmes procedurave të fertilizimit të asistuar (IVF).

Sipas njoftimit të QKUK-së, bëhet fjalë për një paciente 31-vjeçare, shtatzënia e së cilës ishte arritur përmes këtyre procedurave në sektorin publik shëndetësor në Kosovë.
QKUK e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment të veçantë dhe arritje të rëndësishme për shëndetësinë publike, duke vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e stafit shëndetësor.
Po ashtu, ky sukses shihet si një shpresë e re për çiftet që përballen me infertilitetin, pasi dëshmon se edhe në institucionet publike në Kosovë po krijohen mundësi për realizimin e ëndrrës së prindërimit.
Në fund, QKUK ka theksuar se kjo arritje përfaqëson një hap përpara në avancimin e shërbimeve shëndetësore publike në vend.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




