Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar lidhur me Ligjin për Specialen, i cili pritet që sërish të futet për votim në agjendën e Kuvendit.

Në një reagim, BE-ja në Kosovë është shprehur e shqetësuar me njoftimin lidhur me votimin e mundshëm nesër në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ndryshimet ngrisin shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrisin shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.”, thuhet në reagim.
Në reagim thuhet se vazhdimisht janë angazhuar për t’ua përcjellë këto shqetësime autoriteteve të Kosovës.
“Që nga kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës, jemi angazhuar aktivisht për t’ua përcjellë shqetësimet dhe pritshmëritë tona autoriteteve të Kosovës. Kjo përfshin nevojën për konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.”, thuhet në reagim. /Klankosova.tv





