Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër, më 13 nëntor, nga ora 11:00, ka njoftuar Zyra për Media e këtij institucioni.

Seanca e sotme u ndërpre pasi deputetët nuk u kthyen në sallë pas pauzës, ndonëse ishte paraparë që punimet të rifillonin në orën 14:00.
Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi ta shtyjë vazhdimin e seancës, duke kritikuar deputetët për mungesën e tyre.
“Kuvendi i vazhdon punimet nesër në ora 11:00. Nuk është serioze, gjysmë ore pas orës 14:00 nuk po vijnë deputetët. Nuk kam mundësi me funksionu dhe me prit deri në pafundësi”, deklaroi Haxhiu.
Ndërkohë, gjatë seancës, në rendin e ditës u përfshi edhe kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Deputetja Vlora Çitaku, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, paraqiti një mocion procedural për ndryshimin e rendit të ditës, me qëllim përfshirjen e këtij projektligji.
Propozimi u miratua me shumicë votash dhe u shtua si pika e 11-të e rendit të ditës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




