Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në votim morën pjesë 91 deputetë dhe të gjithë votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.
Projektligji kishte kaluar paraprakisht edhe në Komisionin për Legjislacion, ku ishte miratuar unanimisht nga deputetët e pranishëm.
Pas miratimit në lexim të parë, projektligji duhet të kalojë edhe në lexim të dytë për t’u miratuar përfundimisht.
Ndryshimet në ligj janë propozuar pasi Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Qytetarët po kërkojnë miratimin edhe në lexim të dytë të Ligjit, duke qëndruar para Kuvendit të Kosovës.
Telegrafi do t’ju mbajë të informuar në kohë reale për zhvillimet nga seanca.
06/10/2026 12:17- Nis protesta në Prishtinë
Edhe sot ka nisur protesta në Prishtinë, ku protestuesit po kërkojnë miratimin e Ligjit për specialen edhe në lexim të dytë.
06/10/2026 10:54-Hamza: Mungon vullneti politik për miratimin e ligjit, çështja e presidentit është e ndarë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza para mbledhjes së partisë ka deklaruar se nuk ka pasur komunikim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti për çështjen e miratimit të ligjit dhe ka kërkuar që Kuvendi të thërrasë seancën për votimin e tij në lexim të dytë.
Hamza tha se, sipas tij nuk ekziston asnjë pengesë procedurale për përfundimin e procesit, pasi ligji tashmë ka kaluar leximin e parë.
Artikullin e plotë e keni këtu
06/10/2026 10:01-Qorrolli: Sot nuk është dita për ta çuar shtetin në prapakthim, ta votojmë Presidentin dhe Projektligjin për Specialen

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të votojë Presidentin e Republikës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Qorrolli i ka cilësuar këto dy çështje si pjesë të të njëjtit detyrim institucional, duke argumentuar se vendit i nevojiten institucione funksionale dhe vendimmarrje.
Artikullin e plotë e keni këtu
06/10/2026 09:15- Çitaku, Kurtit: Eja në Kuvend, ta votojmë ligjin – mos nxit, mos provoko

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të shkojnë në Kuvend dhe ta votojnë ligjin.
Çitaku në një postim në Facebook shkruan se sot nuk duhen përplasje, por qetësi dhe guxim politik.
Lajmi i plotë këtu:
06/10/2026 07:36- Edhe sot protestë në Prishtinë, pas një nate të tensionuar dhe disa të lënduarve

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe për sot ka thirr protestë në Prishtinë.
OVL e UÇK-së ka bërë thirrje qytetarëve dhe kategorive të dala nga lufta e UÇK-së që qysh në orët e mëngjesit të jenë në sheshin e Prishtinës.
Lajmi i plotë këtu:
05/10/2026 23:15- Fitore Pacolli: Si do t’i mbrojnë krerët e UÇK-së pa president e në fushatë zgjedhore?

Pacolli ka ngritur pikëpyetje se si mund të mbrohen ata në Hagë pa funksionalizimin e institucioneve dhe në një situatë ku vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve.
“E qysh po ua merr mendja me i mbrojtë ata në Hagë, pa president e në fushatë zgjedhore?”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka akuzuar kundërshtarët politikë se po e përdorin çështjen e ish-krerëve të UÇK-së për qëllime elektorale.
05/10/2026 23:11- Rexhepi reagon pas incidentit para Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot para Kuvendit të Kosovës, ku, sipas tij, u përball me një akt të papranueshëm nga disa protestues.
Rexhepi ka thënë se ngjarja e ka prekur edhe për shkak të historisë së familjes së tij dhe kontributit të saj në luftën e UÇK-së dhe në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
“Ajo që ndodhi sot më dhemb. Jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.
Ai ka thënë se veprime të tilla, sipas tij, nuk i bëjnë nder as personave që ndodhen në Hagë dhe po përballen me proces gjyqësor.
Rexhepi ka bërë të ditur se disa persona të identifikuar kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje, por ka theksuar se kjo nuk e mbyll rastin.
“Kërkimi i faljes është zgjedhje personale e secilit, por kjo nuk e mbyll rastin”, ka shkruar ai.
Deputeti ka pretenduar gjithashtu se tashmë dihet edhe personi që, sipas tij, ka urdhëruar sulmin.
Rexhepi ka bërë të ditur se rastin do ta procedojë më tej në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.
05/10/2026 23:09- Hamza: Ligji për Specialen i tejkalon përmasat e një partie

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i është bashkuar protestës së sotme, duke kërkuar miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Hamza tha se qytetarët po kërkojnë nga Kuvendi që ta miratojë këtë projektligj, duke theksuar se çështja, sipas tij, tejkalon interesat e një partie politike.
“Ligji është domosdoshmëri. Nuk ka asnjë arsye që ligji të mos aprovohet në dy lexime. Ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, ka të bëjë me një çështje që i kalon përmasat e një partie”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se miratimi i këtij ligji lidhet me, siç u shpreh, mbrojtjen e së kaluarës, historisë dhe të ardhmes.
“Ka të bëjë me mbrojtjen e të kaluarës, të historisë, tash edhe të ardhmes”, tha kryetari i PDK-së.
Hamza iu bashkua protestuesve në ditën kur po kërkohet që Kuvendi i Kosovës të shqyrtojë dhe miratojë ndryshimet ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara
05/10/2026 22:14- Abrashi: Ligji për Specialen asnjëherë në rrezik- i ka 90 vota, presidenti nuk i ka 80 vota

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka cilësuar të pakuptueshme kushtëzimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Abrashi ka thënë se LVV-ja asnjëherë nuk e ka lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit.
“Kurrë ne nuk e kemi lidhur çështjen e presidentit me votimin e ligjit”, ka deklaruar Abrashi.
05/10/2026 22:01- Tahiri: Në Kuvend janë vetëm deputetët e PDK-së dhe Aleancës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri bashkë me Altin Krasniqin, djalin e Jakup Krasniqit kanë dalë te protestuesit dhe janë deklaruar.
Tahiri nga aty ka ftuar sërish deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, që të vijnë në Kuvend dhe të votojnë edhe në lexim të dytë për ndryshimet në Ligjin për Specialen.
Tahiri gjithashtu ka thënë se aktualisht në ambientet e Kuvendit të Kosovës janë të gjithë deputetët e PDK-së dhe Aleancës, por nuk janë ata të Vetëvendosjes apo Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Qytetarët me të drejtë kanë kërkuar që deputetët të qëndrojnë në Kuvendin e Kosovës. Do të jemi edhe në shesh edhe në Kuvendin e Kosovës deri në minutat e fundit sa të përfundojë mandati. Janë të gjithë deputetët e PDK-së dhe Aleancës. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Tahiri ka bërë thirrje sërish që ndryshimi i Ligjit për Specialen të mos përzihet me çështjen e presidentit.
“Kanë mbetur vetëm edhe disa orë. Krejt çka po kërkojmë është që Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të kthehen në Kuvendin e Kosovës. Ligji është obligim kombëtar të votohet, është urgjencë. Po tentohet të krijohet si pazar politik çështja e presidentit. Ligji është obligim kombëtar, presidenti përgjegjësi politike. Në këto rrethana është shumë e rëndësishme të krijohet konsensus. E rëndësishme është që Ligji të votohet por nuk duhet të lidhet me çështjen e presidentit”, ka thënë Tahiri.
Edhe Krasniqi ka thënë se të gjithë deputetët duhet të jenë në Kuvendin e Kosovës dhe të votojnë Ligjin për Specialen. Ai gjithashtu shtoi se kjo çështje nuk duhet të kthehet në politike.
“Nuk është çështje politike Ligji për Specialen. Ata duhet të jenë në Kuvend të votojnë Ligjin dhe të mos e kthejnë në çështje politike dhe të procedohet me çështje të tjera. Protestuesit po bëjnë protestë të qetë prandaj edhe në mënyrë proporcionale duhet të jetë edhe përgjigja e Policisë së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
05/10/2026 20:30- Protesta e tensionuar në Prishtinë, reagon Policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se protesta e zhvilluar të hënën përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe gjatë orëve të mbrëmjes, duke bërë që situata të tensionohet.
Sipas Policisë, një grup protestuesish kanë hedhur vazhdimisht gjësende të ndryshme, mjete piroteknike dhe fishekzjarre në drejtim të objekteve shtetërore. Policia thotë se protestuesit kanë tentuar gjithashtu të pengojnë daljen e deputetëve dhe personaliteteve nga ndërtesa e Kuvendit, ndërsa disa prej tyre janë detyruar të kthehen sërish brenda.
05/10/2026 20:06- Haradinaj në protestë: Fatkeqësi e madhe mosvotimi i ligjit, po gëzohet Beogradi

Sot do të duhej të ishte natë feste dhe jo proteste, tha anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj.
Ai pasi iu bashkua protestës para objektit të Kuvendit tha se mosvotimi i ligjit për specialen e gëzon Beogradin.
“Sot është dashur me qenë natë feste dhe jo proteste. Kështu e kanë mendu dhe është fatkeqësi e madhe me gëzu Beogradin. Parlamenti jonë nuk voton, prej deputetëve që flasin në emër tonë. Si do qoftë populli është ai që vendosë gjithmonë dhe duhet ta kryej detyrën e vet”, tha ai.
05/10/2026 19:51- Autoambulanca pranë Kuvendit, deputetët raportojnë se gazi lotsjellës ka depërtuar brenda

Një autoambulancë është parë pranë objektit të Kuvendit të Kosovës, në një kohë kur situata jashtë ndërtesës është tensionuar pas përplasjeve mes protestuesve dhe Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Deputetë që ndodhen brenda Kuvendit kanë njoftuar se gazi lotsjellës i përdorur jashtë objektit ka depërtuar edhe në hapësirat e brendshme të ndërtesës.
Përreth Kuvendit vazhdon të ketë prani të shtuar të forcave policore, ndërsa situata mbetet e tensionuar.
05/10/2026 19:38- PDK thirrje LVV-së: Ejani ta votojmë ligjin para se të shpërndahet eventualisht Kuvendi

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të kthehet në Kuvendin e Kosovës dhe ta miratojnë në lexim të dytë Projektligjin për Dhomat e Specializuara para shpërndarjes eventuale të Kuvendit, me rastin e dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se ligji duhet të miratohet pa kushte dhe nuk duhet të ndërlidhet me çështjen e presidentit.
05/10/2026 19:36- Çlirim Haziri për zyrtarët policorë: Sot i nënshtrohen urdhrave të Albin Kurtit dhe Qeverisë

Çlirim Haziri njëri nga organizatorët e protestës, ka thënë nga protesta para Kuvendit të Kosovës se zyrtarët policorë po i nënshtrohen Albin Kurtit.
Aio deklaratën e bëri para masës duke iu drejtuar zyrtarëve të Policisë së Kosovës që po qëndrojnë para Kuvendit të Kosovës.
“Kur kemi qenë ne shumë e këta pak i kemi ruajtur sytë. E sot këta, i nënshtrohen urdhrave të Albin Kurtit dhe Qeverisë që nuk e kalon Ligjin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kemi me i shikuar në sy secilin prej këtyre si do të sillen me neve kur këta janë shumë e na jemi pak. Nuk do të lëvizim nga këtu”, tha Haziri, duke përsëritur se deputetët do të dalin nga Kuvendi vetëm mbi trupat e tyre.
Protesta po vazhdon me thirrjet që të votohen ndryshimet në Ligjin për Specialen.
Vihet re shtimi i forcave policore.
05/10/2026 19:31- Deputetët e LVV-së nisin të dalin nga Kuvendi

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë nisur të dalin nga objekti i Kuvendit të Kosovës, ndërsa situata jashtë institucionit është tensionuar pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës ndaj protestuesve që kishin rrethuar objektin e Kuvendit.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për t’i shpërndarë protestuesit.
Ndërkohë, Administrata e Kuvendit ka mbyllur sallën plenare, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për miratimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Mosmarrëveshjet ndërmjet partive lidhur me këtë projektligj kanë sjellë përshkallëzim të situatës, ndërsa protesta jashtë Kuvendit është shoqëruar me ndërhyrje të forcave të rendit.
Zhvillimet brenda dhe jashtë Kuvendit vijojnë të mbahen nën vëzhgim, ndërsa mbetet e paqartë nëse seanca plenare do të rifillojë dhe nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për projektligjin.
05/10/2026 19:23- Ligji për Specialen, tension jashtë Kuvendit – hidhet gazlotsjellës

Tensionet jashtë Kuvendit të Kosovës janë shtuar në mbrëmje pasi protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, teksa presin që deputetët t’i kalojnë ndryshimet në ligjin për Gjykatën Speciale.
Policia e Kosovës iu përgjigj protestuesve me gaz lotsjellës para Kuvendit.
Në rrugë dëgjohen edhe sirenat e autoambulancave.
Paraprakisht, policia kishte formuar një kordon pranë ndërtesës së Kuvendit.
Rreth orës 19:00, deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje u panë duke u larguar nga ndërtesa e Kuvendit.
05/10/2026 14:01- Kuvendi publikon Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.
Dokumenti vjen pas miratimit të projektligjit në lexim të parë në Kuvend, ku 91 deputetë votuan pro, pa vota kundër dhe pa abstenime.
05/10/2026 13:30- Protesta vazhdon para Kuvendit, hidhen mjete piroteknike

Protesta para Kuvendit të Kosovës po vazhdon edhe pas miratimit në lexim të parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Protestuesit vazhdojnë të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit, ndërsa gjatë protestës janë hedhur mjete piroteknike në hapësirat përreth objektit.
05/10/2026 11:40- Çlirim Haziri pas kalimit të ligjit: Nuk zmbrapsemi deri sa të kalojë edhe në lexim të dytë

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka deklaruar se protesta para Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë edhe pas votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të parë.
“Nuk zmbrapsemi. Leximi i parë kaloi, por ne do të qëndrojmë këtu deri sa të kalojë edhe leximi i dytë. Kërkesa jonë është miratimi i ligjit deri në fund”, deklaroi Haziri.
05/10/2026 11:24- Jashari pas votimit në Kuvend: Qëndrojmë në kërkesën tonë, kërkojmë shfuqizimin e Speciales

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka deklaruar se organizatat e dala nga lufta kanë qenë sot në Kuvend për t’ua përcjellë deputetëve kërkesën e tyre për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Jashari tha se për më shumë se 11 vjet, kërkesa e organizatave të dala nga lufta ka qenë e njëjtë dhe se ajo mbetet shfuqizimi i Speciales nga të zgjedhurit e popullit.
05/10/2026 11:23- Miratohet në lexim të parë Ligji për Specialen

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Projektligji u votua me 91 vota për. Në momentin e votimit, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 91 deputetë.
05/10/2026 11:02- Kurti: Mbështesim në lexim të parë Ligjin për Specialen, por nuk jemi të bindur për dobinë e tij

Kryeministri Albin Kurti ka folur në seancën e Kuvendit për Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se lufta e popullit të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe se bartëse e saj ishte UÇK-ja.
Kurti tha se UÇK-ja ishte “shprehja më e lartë politiko-ushtarake në historinë tonë çlirimtare”, duke shtuar se ajo nuk ishte vetëm përgjigje ndaj suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, por edhe ndaj gjenocidi të Serbisë ndaj shqiptarëve.
“Ankesat për gjykatën duhet t’u drejtohen atyre që e themeluan, jo atyre që e kundërshtuan”, tha Kurti.
05/10/2026 11:01- Haradinaj: Aleanca e voton ligjin për Specialen, kërkojmë që të përfundojë sot në dy leximet

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë në seancën e Kuvendit se vendimi dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së është, sipas tij, një ofendim për popullin e Kosovës dhe për gjakun e derdhur gjatë luftës.
“Sot e kam përshtypjen se jemi duke bërë diçka të fajshme. Ne jemi ofendu rëndë. Një vendim dënues për udhëheqësit e UÇK-së është ofendim për popullin e Kosovës, për gjakun tonë, për këtë Kuvend, për drejtësinë”, tha Haradinaj.
05/10/2026 10:57-Lushaku: LDK nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme, rrezikon pasoja për Kosovën

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka deklaruar se për LDK-në Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj kanë qenë dhe mbeten të drejta, por ka shprehur kundërshtim ndaj nismës për ndryshimin e ligjit që lidhet me Dhomat e Specializuara.
Lushaku ka theksuar se përgjegjësia për veprimet individuale nuk mund të bartet mbi një komunitet apo mbi të gjithë luftën e UÇK-së.
Artikullin e plotë e keni këtu
05/10/2026 10:56-Nagavci: Ndryshimi i ligjit sot nuk i kthen ish-drejtuesit e UÇK-së në atdhe, nuk e zhbën dëmin

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka deklaruar se çështja e Dhomave të Specializuara është një çështje me rëndësi të veçantë, duke theksuar se vendimi për themelimin e tyre është marrë në vitin 2015.
Nagavci ka rikujtuar se Vetëvendosje ka qenë kundër krijimit të Dhomave të Specializuara dhe se, sipas saj, ky qëndrim nuk ka ndryshuar as sot.
Artikullin e plotë e keni këtu
05/10/2026 10:45- Hamza kërkon unitet nga deputetët për Ligjin e Speciales: Nuk është ligj i PDK-së

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka falënderuar deputetët e Kuvendit që votuan për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe futjen e tij në rend dite, përmes procedurës së përshpejtuar.
Duke folur në seancën e Kuvendit, Hamza tha se kjo çështje, sipas tij, i tejkalon përmasat e një partie politike apo të mandatit të një qeverie, duke e lidhur atë me historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.
Ai theksoi se “ky nuk është ligj i PDK-së”, duke u bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta mbështesin në mënyrë unanime.
05/10/2026 10:28-”Para çdo vendimmarrjeje të dëgjohen ekspertët juridikë”, avokati Arianit Koci flet për Ligjin për Specialen

Avokati Arianit Koci ka reaguar lidhur me propozimin për ndryshimin e mënyrës së kontrollit të kushtetutshmërisë së Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke shprehur shqetësimin se ndryshimet e propozuara mund të mos jenë të mjaftueshme për të arritur qëllimin e synuar.
Artikullin e plotë e keni këtu
Gruda në Kuvend: Projektligji synon të kufizojë juridiksionin e Speciales

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka paraqitur në Kuvend arsyetimin e partisë së tij për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se nisma synon të kufizojë një pjesë të juridiksionit të Speciales.
Gruda, i cili është një nga propozuesit e projektligjit, tha se themelimi i Dhomave të Specializuara ishte i lidhur me pretendimet për trafikim të organeve.
05/10/2026 10:26- Nis seanca

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, me më shumë se një orë vonesë.
Pas votimit për konstatimin e pranisë, është bërë e ditur se në sallë janë të pranishëm 101 deputetë.
Pika e parë në rendin e ditës është shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
05/10/2026 10:19-Në karrigen e ministres së Drejtësisë vendoset emblema e UÇK-së

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës, Albana Bytyqi ka vendosur emblemën e UÇK-së në karrigen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvallës.
Ndërkaq, edhe pak pritet të fillojë seanca ku në rendin e ditës janë gjithsej 22 pika, si pikë e parë është shqyrtimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Ligji për Specialen, ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit janë mbledhur qytetarë, veteranë e nxënës në pritje të votimit të këtij ligji.
Artikullin e plotë e keni këtu
05/10/2026 10:07- Krasniqi kundër qëndrimit të LVV-së për Ligjin për Specialen: Po i bie që e pranon këtë gjykatë – e rëndë për aktivistët

Alban Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe bashkëshort i Albulena Haxhiut, ka reaguar lidhur me debatin e fundit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të iniciuar nga PDK-ja.
Krasniqi ka shprehur kritika edhe ndaj qëndrimit të LVV-së për këtë çështje, duke thënë se votimi i ligjit, sipas tij, mund të krijojë përshtypjen se po pranohet Gjykata Speciale.
05/10/2026 09:52- Çlirim Haziri: Asnjë deputet nuk do të dalë nga Kuvendi pa e votuar ligjin

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, nga dyert e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se protestuesit do të vazhdojnë qëndrimin deri në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Ka 20 ditë e 20 net që po qëndrojmë me dinjitet për UÇK-në, për gjakun e derdhur për liri, për heronjtë tanë dhe për ata që sot po mbahen në Hagë. Sot jemi para dyerve të Kuvendit me një kërkesë të qartë: votojeni ligjin”, tha Haziri.
05/10/2026 09:48-”Nuk do të thyhet asnjë xham…” Gucati bisedon me zyrtarin policor – kërkon të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit deri në votimin e Ligjit për Specialen

Hysni Gucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), i është drejtuar eprorit policor me kërkesën që t’u lejohet të qëndrojnë në oborrin e Kuvendit të Kosovës deri në përfundimin e votimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Gucati kërkoi që veteranët të qëndrojnë në hapësirën përpara Kuvendit, duke theksuar se synimi i tyre është të presin procesin e votimit dhe se nuk kanë ndërmend të shkaktojnë incidente.
Artikullin e plotë e keni këtu
05/10/2026 09:47- Tension në protestën para Kuvendit – protestuesit shtyhen me policinë, bllokohet hyrja me një kamion

Situata para Kuvendit të Kosovës është tensionuar gjatë protestës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në mesin e tensioneve, disa protestues janë parë duke u përplasur me pjesëtar të Policisë së Kosovës, ndërsa në vendngjarje është sjellë edhe një kamion, me qëllim të bllokimit të rrugës pranë Kuvendit.
05/10/2026 09:26- Deputetët mblidhen në Kuvend, pritet nisja e seancës

Deputetët kanë filluar të mblidhen në sallën e Kuvendit të Kosovës, para nisjes së seancës plenare ku pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
05/10/2026 09:14- Ismaili: Krejt Kosova po pret ligjin për UÇK-në

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, u ka bërë thirrje deputetëve ta votojnë ligjin për UÇK-në, duke theksuar se ai lidhet me transparencën dhe drejtësinë.
“Krejt Kosova është duke pritur një gjë të tillë”, tha Ismaili. Ai ka shtuar se deputetët kanë mundësi që përmes votës së tyre të kontribuojnë për drejtësi.
“Nëse e doni drejtësinë, atëherë është mundësi me dhanë votën”, deklaroi ai.
05/10/2026 08:43- Hapi i parë u kalua, Komisioni për Legjislacion miraton Ligjin për Specialen

Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim, në mënyrë unanime me 9 vota për, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në votim kanë marrë pjesë edhe anëtarët e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilët kanë votuar pro Projektligjit.
05/10/2026 08:33- Mblidhet Komisioni për Legjislacion, shqyrton Projektligjin për Specialen

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit është mbledhur për ta shqyrtuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ky komision më pas do ta përcjell rekomandimin për seancë të jashtëzakonshme në të cilën pritet të votohet ky projektligj.
05/10/2026 08:23- Deliu nga Kuvendi: Sot jemi këtu për UÇK-në

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar para nisjes së shqyrtimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Përmes një postimi nga Kuvendi i Kosovës, Deliu ka thënë se sot është në Kuvend “për UÇK-në”, duke u bërë thirrje deputetëve që ta ndjejnë përgjegjësinë e kësaj dite.
“Sot jemi në Kuvend për UÇK-në! Uroj që të gjithë ta ndjejnë peshën e përgjegjësisë së kësaj dite. Na priftë e mbara!”, ka shkruar Deliu.
05/10/2026 08:23- Që nga mbrëmë para Kuvendit, protestuesve u bashkohen nxënës e studentë në mbështetje të UÇK-së

Në protestën para Kuvendit të Kosovës, krahas protestuesve që prej mbrëmjes të së dielës kanë qëndruar në protestë, tashmë janë mbledhur edhe një numër nxënësish dhe studentësh, në mbështetje të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”.
Protestuesit kërkojnë nga deputetët miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
05/10/2026 08:02- PDK reagon para seancës për Ligjin e Speciales: Për UÇK-në, për çlirimtarët, për drejtësinë

Para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është shqyrtimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, PDK ka përcjellë një mesazh të shkurtër lidhur me zhvillimet në Kuvend, duke shkruar: “Për UÇK-në! Për çlirimtarët! Për drejtësinë!”
05/10/2026 07:52- Deputeti i Aleancës: Ligjin për Specialen duhet ta votojmë në të dy leximet

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka bërë thirrje që sot të votohet ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ramadani ka thënë se ndryshimi i ligjit përbën një “veprim institucional” në mbrojtje të së drejtës dhe dinjitetit të atyre që luftuan për çlirimin e vendit.
“Ligjin duhet ta votojmë në të dy leximet. Sot!”, ka shkruar Ramadani.
05/10/2026 07:42- Në mbështetje të protestës për UÇK-në, studentët thirrje për mobilizim sot në ora 08:00

Parlamentet studentore, organizatat dhe këshillat e studentëve nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren kanë shprehur mbështetje për protestën gjithëpopullore të iniciativës “Jo në emrin tim”, e cila mbahet sot, më 5 tetor, në ora 08:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes shpërndarjes së thirrjes për protestë, përfaqësuesit studentorë u janë bashkuar mobilizimit për pjesëmarrje dhe kërkesës drejtuar deputetëve për miratimin e ligjit.
05/10/2026 07:26- Në ora 08:00, Komisioni për Legjislacion shqyrton Ligjin për Specialen

Sot në ora 08:00, Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës mblidhet për të shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Mbledhja mbahet në sallën N-10 të Kuvendit të Kosovës.
Në rend dite është shqyrtimi i projektligjit, pas ngarkimit të Komisionit me trajtimin e tij. Deputetët dhe mediat janë të ftuar të marrin pjesë.
Ndërkohë, pas shqyrtimit Projektligji kalon për votim në Kuvend, ku seanca do të nis nga ora 09:00.




